Policia arrestoi drejtuesin teknik të një pallati që ishte në ndërtim në qytetin e Bajram Currit. Ditën e djeshme një punonjës 44 vjeç humbi jetën, pasi ra nga kati i pestë i këtij pallati.

Drejtuesi teknik 40 vjeç është ndaluar nga policia, pasi akuzohet për veprën penale “shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”. 

Ai dyshohet se nuk ka marrë masat e nevojshme për zbatimin e rregullave në punë.


“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë, bënë ndalimin e shtetasit M. Ç., 40 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtues teknik i një subjekti për ndërtim pallati, për veprën penale ‘Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’.

Ky shtetas dyshohet se nuk ka marrë masat për zbatimin e rregullave të mbrojtjes në punë në ndërtimin e një pallati në qytetin e Bajram Currit.

Ditën e djeshme, gjatë punës në këtë objekt është rrëzuar nga kati i pestë, shtetasi A. S., 44 vjeç, banues në fshatin Gri, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme,” njofton policia./tvklan.al