Korriku ka shënuar një bum të numrit të pasagjerëve që kanë hyrë në vendin tonë nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Dhe per kryeministrin Rama, këto shifra tregojnë jo vetëm se Shqipëria vijon të jetë destinacioni i preferuar i të huajve, por edhe i ndryshimit të madh që ka pësuar Shqipëria në 10 vitet e fundit.

Videon e publikuar në rrjetet sociale, kryeministri Rama e ka shoqëruar me intervista të turistëve nga vende të ndryshme, të cilët tregojnë mbresat nga udhëtimi nëper Shqipëri.

“Ishte fantastike. Ishim në Berat, Gjirokastër, në plazh në Himarë, Sarandë dhe po ashtu në Theth në veri. Ishte i mahnitshëm Syri i Kaltër. Do të kthehem sërish dhe patjetër që do t’u tregojmë edhe njerëzve të tjerë në Holandë. Ju i keni të gjitha, keni malet dhe ujin.”

 “Ishte një eksperiencë magjepsëse kisha udhëtuar edhe më parë në Europën Lindore dhe pak a shumë e dija çfarë do të gjeja. Por u befasova nga shumë gjëra, sa miqësorë janë shqiptarët, sa mikpritës. Është një vend i mrekullueshëm dhe entuziazmues për t’u vizituar. Do të kthehem në Vlorë ku qëndruam dhe patjetër që do të kthehem në Tiranë ta eksploroj si duhet kur të mos jetë kaq nxehtë.”

“Himara ishte mahnitëse. Uji është kaq i pastër ishte edhe më i mirë se në Greqi.”

Jo vetëm bregdeti, por edhe zonat malore jane një atraksion turistik i verës.

“Isha në veri dhe në jug të Shqipërisë. Kalova 21 ditë duke udhëtuar në të gjithë vendin. Veriu, Lugina e Valbonës, pastaj ngjitja në shtegun Valbonë-Theth ishte i vështirë, por shumë i bukur. Edhe plazhi më pëlqeu shumë”.

I cilesuar si një ndër prioritetet e qeverisë, turizmi mbetet një zë i rëndësishëm në ekonominë shqiptare, me 4.2 miliardë Euro te ardhura që solli 1 vit më parë në buxhetin e shtetit. Qeveria synon që në 2030-ën, vendi ynë të arrijë në 30 milionë turistë.

Tv Klan