Pyjet dhe ekosistemet e tjera nuk arritën të frenojnë ndryshimin e klimës në vitin 2023 pasi thatësira intensive në pyjet tropikale të Amazonës dhe zjarret rekord në Kanada penguan aftësinë e tyre natyrore për të absorbuar dioksidin e karbonit.

Shkencëtarët në Universitetin Tsinghua në Kinë, Universitetin e Exeter në Angli dhe LSCE udhëhoqën një studim se çfarë e shkaktoi ndryshimin. Studimi i tyre u prezantua në Konferencën Ndërkombëtare të Dioksidit të Karbonit në Manaus, Brazil.

Kjo do të thotë se një sasi rekord e dioksidit të karbonit hyri në atmosferën e Tokës vitin e kaluar, duke nxitur më tej ngrohjen globale, thanë studiuesit. Bimët ndihmojnë në ngadalësimin e ndryshimeve klimatike duke thithur sasi të mëdha të dioksidit të karbonit, gazi kryesor serrë që nxit ngrohjen globale.

Mesatarisht, pyjet dhe ekosistemet e tjera tokësore thithin gati një të tretën e emetimeve vjetore nga lëndët djegëse fosile, industria dhe burime të tjera.

Një faktor kryesor ishin temperaturat e larta globale rekord, të cilat thanë bimësinë në Amazon dhe pyjet e tjera tropikale, duke i penguar ato të thithnin më shumë karbon, ndërsa gjithashtu nxisnin zjarre rekord në Kanada, zbuloi studimi.

“Imagjinoni bimët tuaja në shtëpi: nëse nuk i ujisni, ato nuk janë shumë produktive, nuk rriten, nuk marrin karbon”, tha Stephen Sitch, një bashkautor i studimit dhe ekspert i karbonit në Universiteti i Exeter.

Shkencëtarët shprehen se fenomeni El Nino ishte gjithashtu një tjetër faktor. Gjithashtu, pasojat janë më të rënda se në të kaluarën, sepse njerëzit tani po shkaktojnë emetimin e më shumë dioksidit të karbonit se kurrë më parë. “Ky është një paralajmërim. Ka një shans që vitet si 2023 do të jenë më të zakonshme”, tha Richard Birdsey nga Woodwell Climate Research Center në Shtetet e Bashkuara. 

Sipas ekspertëve sa më pak karbon që ekosistemet tokësore thithin, aq më pak lëndë djegëse fosile bota mund të djegë përpara se njerëzimi të kalojë objektivat globale të klimës.

Klan News