Qeveria shqiptare nuk do të dorëhiqet para presioneve të askujt kur bëhet fjalë për të zbatur ligjet dhe rregullat e shtetit. Ky ka qenë reagimi i menjëhershëm i Këshillit të Ministrave menjëherë pas zhvillimeve të fundit në Kukës. Sipas një deklarate qeveritare me shkelësit e ligjit nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi, por do të merren të gjitha masat që në pikën kufitare të Morinit të zbatohet me përpikmëri vjelja e tarifave doganore.

Edhe reagimi i Ministrisë së Rendit ka qenë i menjëhershëm dhe i prerë. Nuk do të ketë tërheqje përballë presioneve që mund të vijnë nga grupe kriminale, kontrabandistë apo trafikantë. Cilido që do të ecë në rrugën e konfrontimit me ligjin, do të ndëshkohet ashpërsisht sipas dispozitave ligjore në fuqi, bën të ditur një komunikatë e Ministrisë së Rendit Publik.

Që prej orës 12:00 të ditës së sotme, qarkullimi në pikën kufitare të Morinit është bërë i lirë dhe pa probleme në të dy krahët, komunikon zyra e shtypit e Ministrisë së Rendit./tvklan.al