“Rihapi rrugën e mbyllur të drejtësisë”

Kryeministri Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë që ngjarja e “21 Janarit” të hetohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas rekursit të bërë nga familjarët e viktimave. Përmes një postimi në rrjetet sociale kreu i qeverisë thotë se togat e zeza kthyen në jetë shpresën e varrosur në mendjet e shqiptareve.

“Ky vendim i ka rihapur rrugën e mbyllur kaq shumë vite, syrit së drejtësisë mbi vendin dhe autorët e atij krimi, duke e kthyer vendimin e qartë të Gjykatës Europiane të të drejtave të Njeriut në një mundësi konkrete për drejtësinë e re, që të bëjë histori me vendosjen e një drejtësie të drejtë”.

Partisë që drejton i njeh meritën për çuarjen përpara të reformës në drejtësi, teksa një mesazh adreson edhe për skeptikët e këtij procesi.

“Sot jam më krenar se asnjëherë deri më tash për kontributin unik që Partia Socialiste dha në shembjen e Pallatit të Vjetër të Drejtësisë përmes Reformës në Drejtësi; për durimin në ballafaqimin e vështirë me mllefin legjitim të shumë të zhgënjyerve nga zvarritja e pafundme deri në varrosje e kësaj çështjeje; për moslëkundjen e bindjes se drejtësinë për 21 janarin mund, duhet e do ta bëjë vetëm drejtësia dhe askush tjetër, sado që ajo të vonojë”.

Në vendimin e 14 Nëntorit të vitit 2023, Gjykata e Strasburgut e cilësoi ende të pa hetuar dhe gjykuar procesin e 21 Janarit të 2011-ës, duke i tërhequr vëmendjen autoriteteve për mos zbardhjen e vrasjes së Aleks Nikës.

Tv Klan