Presidentin do ta zgjedhë Partia Socialiste

Për zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashki, kryeministri Rama ka kërkuar që të mos angazhohet e gjithë Partia Socialiste, por vetëm drejtuesit e qarqeve ku do të zhvillohet gara, si dhe deputetët e këtyre zonave.

Kryesocialisti gjithsesi në takimin me Grupin Parlamentar duket i bindur se alternativa që ata do t’u prezantojnë komuniteteve të këtyre zonave është shumë larg ofertës që do t’ju sjellë opozita e përçarë.

“Nga njëra anë ne me ofertën tonë të punës për komunitetin, nga ana tjetër kundërshtarët tanë politikë, në 6 sheshe, për 12 ose 18 përsheshe, varet si do rreshtohen. Po 12 minimumi, 18 e mundshme, edhe më shumë mbase. Nga njëra anë ne, 6 kandidatë, të cilët do të ofrojnë një mundësi zgjedhjeje të bazuar tek puna konkrete, nga ana tjetër ata me 12, 18 ose më shumë që do të luftojnë për mbijetesën politike të 2-3 udhëheqësve partiakë këtu në Tiranë dhe që s’kanë asnjë lidhje me këto zgjedhje në vetvete”.

Bashkë me Bashën e Berishën, përfshin dhe presidentin Meta si lojtarin që do të përfshihet në garën e 6 Marsit.

3 lider, njëri grata, tjetri non grata, i treti të dyja bashkë edhe grata edhe non grata. 3 popuj pas tyre, populli i 11 dhjetorit, i 18 dhjetorit dhe i 2 marsit, ky treti i vërteti që merr jetë mes të parit dhe të dytit. Kjo është oferta për demokratët dhe për të gjithë ato që e quajnë veten pjesë të këtyre tre popujve, ndërkohë që populli është i qartë për çfarë sheh. Në emër të këtyre tre popujve do të thirren 6 fushata”.

E duke u nisur nga kriza që ka përfshirë opozitën, dialogun që duhet të bënte me të për zgjedhjen e presidentit, proces që në çdo rast duhet të nisë në Prill, do të përpiqet ta bëjë me qytetarët për të arritur të gjejë një figurë të pranueshme.

Edhe pse të dyja këto çështje i cilëson të rëndësishme, ajo që do të marrë vëmendjen maksimale të tij personalisht dhe gjithë formacionit politik që ai drejton është Këshilli Kombëtar, rezultatet e të cilit shpreson të bëhen publike në Kongresin e socialistëve, në fillim të Prillit. Ajo që garanton për të gjithë skeptikët është sigurimi i anonimatit për ata që do të plotësojnë formularë të cilët do të shpërndahen brenda 22 Shkurtit në çdo shtëpi.

Këshilla për deputetët në nisje të sesionit të ri parlamentar është të shmangin debatet me kundërshtarët politikë në komisione dhe seanca plenare.

Tv Klan