Këtë verë, gazetari i emisionit investigativ “Stop” në Tv Klan, Klinton Zeqiraj dhe partnerja e tij nga Bjellorusia, Ekaterina Dubenik i premtuan njëri-tjetrit dashuri të përjetshme. Propozimi i papritur i gazetarit mund të ketë qenë më romantiku që kemi parë këtë verë, edhe për shkak të historisë së tyre të dashurisë.

Në një bisedë në “Rudina”, çifti tregon detaje për këtë kujtim të bukur së bashku që shënon edhe një hap drejt kurorëzimit të tyre. Klintoni e organizoi të gjithën në një nga ‘club’-et më të njohura në Sarandë, në mes të të gjithëve në koncertin e Aurela Gaçes.

Klinton Zeqiraj: Është një kujtim shumëi bukur vërtet. Mendoj që kishte ardhur momenti pas 4 vitesh lidhje, ne u bëmë 4 vite bashkë kështu që thashë besoj këtë verë është patjetër momenti që unë të marr një vendim.

Ekaterina Dubenik: Klintonin e mbaj mend, kur kemi folur shumë kohë përpara për pjesën e propozimit,  tha unë dua një video shumë të bukur dhe e bëri, e organizoi të gjithën.

Klinton Zeqiraj: Madje atjë natë, natën e propozimit, përpara se të vinte mbrëmja që ne të shkonim në ‘club’, isha zënë me Ekaterinën atë natë, po mundohesha të kapesha si e si që në darkë pastaj ta  lumturoja dhe t’i vinte një surprizë, diçka e papritur.

Gazetari shton se dëshira e tij për ta realizuar ishte pikërisht muaji korrik kur edhe janë njohur 4 vite më parë ndaj ‘iu përvesh’ punës për ta organizuar.

Klinton Zeqiraj: Unë e kisha menduar në korrik sepse në korrik u njohëm, në vitin 2020 dhe kisha menduar që t’i propozoj në korrik sepse përkon edhe muaji që jemi njohur dhe këtë dëshirë kisha. Në fillim kisha plane të bëja diçka afër detit por pastaj që mendova që afër detit është një gjë klishe  që e kanë bërë shumë njerëz, thashë më mirë aty në publik, në skenë, aq më tepër që ishte edhe Aurela Gaçe që e falenderoj shumë edhe për bashkëpunimin.

Rudina Magjistari:Ah,  pse mori pjesë edhe Aurela?

Klinton Zeqiraj: Patjetër. Kisha folur me Aurelën më përpara, i kisha thënë që çfarë dua të bëj dhe e kishim lënë që “në momentin që unë do të këndoj këngën  ‘Se ti je’”,  tha, që është kënga jonë, e imja dhe e Ekaterinës që e pëlqejmë shumë, “në atë moment do të ftoj Ekaterinën në skenë dhe ti do të dalësh nga ana tjetër”. Domethënë ishte bërë plani me stafin e të gjitha./tvklan.al