Edhe pse teknologjia është përqafuar nga qeveria shqiptare duke dixhitalizuar të gjithë shërbimet publike, vetë Kryeministri e sheh atë njëkohësisht dhe si mallkim pasi mund të peëdoret për të shpërndarë informacione të rreme.

Në konferencën ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit që bëri bashkë më shumë se 200 përfaqësues nga e gjithë bota, Rama flet për sfidat që ka një vend në zhvillim si Shqipëria për të mbrojtur të drejtën e informimit.

“Nuk është çështja vetëm të kemi ligje, por dhe t’i zbatojmë ato dhe hendeku midis hartimit të ligjeve dhe zbatimit të tyre është sfidë për shumë prej nesh këtu sepse po, ne jemi vende e njerëz që ndajmë një mendësi kur vjen fjala për të drejtën e informimit, por ndërkohë jemi krejt të vetëdijshëm që nuk jemi suedez. Kur sheh njohjen e parë të kësaj të drejte që daton që në 1776, pra në shekullin e XVIII në aktin suedez për lirinë e shtypit, atëherë e kuptojmë të gjithë sesa e gjatë është rruga që kemi përpara”. 

Sfida tjetër që kanë institucionet shqiptare, sipas Kryeministrit, është të nxisin kulturën e transparencës.

“Duke nënvizuar rëndësinë e konsultimeve publike dhe qeverisjes me pjesëmarrje për të mos pasur frikë nga drita, por për ta përqafuar dritën dhe për të punuar shumë më ngushtë me institucionet si Zyra e Komisionerit, si Avokati i Popullit që e përshëndes e që e vlerësoj mjaft sa i takon punës që ajo dhe institucioni i saj bëjnë, për të garantuar që të gjithë të kuptojnë pikë së pari nga brenda qeverisë që ekspozimi i informacionit dhe përdorimi i tij në maksimum për ta nxjerrë gjithçka në dritë është një ushtrim, një proces mjaft i shëndetshëm dhe një mjet mjaft efektiv kundër keqinformimit dhe dezinformimit”.

Të gjithë pjesëmarrësit në konferencë nënvizuan idenë qe e drejta për informim nuk është thjesht një instrument demokratik, por një parakusht për zhvillimin e demokracive funksionale.

Tv Klan