Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar kreun e SPAK si shërbëtor të qeverisë. Në një videomesazh pas raportimit të Dumanit në Parlament, lideri i opozitës e cilësoi Dumanin një militant të verbër.

Sali Berisha, kryetari i PD: Deputetët e opozitës i bënë autopsinë “skrapit” të Partisë dhe Dumanit, kreut të tij, me pyetje gozhduese, fakte, argumente dhe dokumente zyrtare të pakundërshtueshme, qytetarët shqiptar panë tek ai një militant të verbër, një mashtrues Grotesk, pa dinjitet, një hakmarrës primitiv.

Berisha ka radhitur sipas tij, arsyet pse Dumani u duartrokit nga deputetët pas seancës maratonë.

Sali Berisha, kryetari i PD: Ai është autori i amnistisë së krerëve të vjedhjes se shekullit të djegësve, Edi Rama, Erion Veliaj, Engjëll Agaçi, etj, i amnistisë së vjedhjes së dytë më të madhe të shekullit në shëndetësi nga Rama dhe Beqja, me sterilizimin, çekanin, laboratorët. I amnistisë së aferës “McGonigal” korrupsionit ndërkombëtar direkt të Edi Ramës.  

Sali Berisha e akuzoi Dumanin për vendimin arrest në shtëpi që gjykata dha për të.

Sali Berisha, kryetari i PD: Si asnjë institucion apo prokuror në Europë përveç Rusisë së Putinit, ka vendosur në arrest politik pa asnjë provë, fakt apo dokument, pra me urdhër politik kryetarin e partisë më të madhe opozitare për të mbrojtur pushtetin e krimit të Edi Ramës dhe vetëm e vetëm, se Sali Berisha ka denoncuar me fakte dhe dokumente çdo ditë vjedhjen, korrupsionin e Edi Ramës, familjarëve të tij.

Sali Berisha u shpreh se nga 72 mandate arresti të lëshuara në 3 muaj, janë arrestuar gjithsej 6 persona duke akuzuar institucionet e drejtësisë për dekonspirim.

Klan News