Galatasaray bën ‘boom’ në merkato. Mauro Icardi, Juan Mata e Rashica transferohen në Stamboll

Fundi i merkatos së verës ka qenë tepër impenjativ për Gallatasaray. Gjiganti turk ka zyrtarizuar afrimet në minutat e fundit të këtij sesioni, ku sigurisht ata që ranë në sy ishin disa emra ‘BIG’. Siç edhe pritej në fakt, Mauro Icardi do jetë pjesë e Gallatës në sezonin e ri.

Argjentinasi ka zbarkuar në Stamboll së bashku me familjen e tij, për të hapur kështu një kapitull të ri në karrierë. 29-vjeçari kaloi në formulën e huazimit pa asnjë kosto nga Pari Së Zhërme për një sezon. Paga e futbollistit do të paguhet nga të dy klubet, respektivisht 3 milionë euro nga turqit dhe 5 milionë nga francezët.

Një tjetër befasi ishte kalimi i Milot Rashicës në Superligën turke të futbollit. Lojtari i krahut, pjesë e kombëtares së Kosovës u largua nga Norwich për të vijuar karrierën në Stamboll. 26-vjeçari kalon në formulën e huazimit te 22 herë kampionët e Turqisë, me të cilët pritet të luajë një rol tepër të rëndësishëm.

Gallatasarai ka marrë me parametra zero Huan Mata. Spanjolli i larguar nga Manchester United pas skadimit të kontratës do jetë pjesë e turqve, që më parë kishin firmosur edhe me lojtarë si Lukas Torreira dhe Dries Mertens.

Klan News