Kryeministri Edi Rama njoftoi reformën për ndryshimin rrënjësor të procesit të dhënies së plazheve tek privati. Vitin e ardhshëm plazhet publike do të menaxhohen nga bashkia. Rama solli si model për këtë Lezhën.

Edi Rama: Bashkitë të marrin hapësira dhe të vendosin bashkitë çadra e aty ku është e arsyeshme dhe shezlone por me një çmimi tavan të detyruar. Lezha është një model se është polic ai që është kryetar i bashkisë së Lezhës. E them me shaka, por në fakt shakaja është gjysma e të vërtetës.

Kryeministri ka një përgjigje edhe për ata që trumbetonin ‘plazhet bosh’ apo skeptikët e shifrave.

Edi Rama: Që tani nuk ka më asnjë krahasim, përkundrazi të shkosh të punosh kamarier në Greqi dhe të punosh kamarier në Shqipëri është komplet e njejta gjë me disa benefite më shumë për atë që ri në Shqipëri. Dhe atë 2030 nuk e kam thjeshtë një destinacion dëshire apo një ëndërr që e shoh me sy hapur, por e kam bazuar në shumë gjëra që i shoh në guzhinën e qeverisjeve që kemi sot një komunitet arkitektësh të huaj që është një komunitet që ka brenda ajkën e arkitektëve të botës dhe të gjithë janë të angazhuar në hoteleri-turizëm për të bërë bujtina, hotele top dhe pastaj kuptohet edhe në qytete, por kryesisht Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Sarandë.

Në episodin e parë të sezonit të tretë, të podkastit “Flasim” kryeminstri Edi Rama kishte të ftuar 2 personazhe të rëndësishme në fushën e turizmit, Gladiola Dona dhe Elton Çaushi. Rama i cilësoi ata si “dy patronazhistë të Shqipërisë turistike”.

Kryeministri Edi Rama foli dhe për investimet në infrastrukturën e vendit, ku theksoi se ajo i shërben zhvillimit të turizmit më së shumti, i cili konsiderohet eksport.

Ai  tha se shumë shpejt pritet të fillojë ndërtimi i resortit të parë të skive në zonën e Korçës.

Klan News