Ekspertët: Nuk po respektohen masat e distancimit

Serbia ka shënuar një ngritje të madhe të rasteve pozitive duke konfirmuar 424 raste pozitive për një ditë, duke e çuar numrin në 4,054 të infektuar. Numri i të testuarve në ditë është rreth 2,500 persona dhe deri tani janë testuar rreth 21,000 persona. Covid-19 ka marrë edhe 5 viktima duke çuar numrin në 85 deri më tani. Ekspertët serb kanë alarmuar se ky është rezultat i mos respektimit të masave dhe andaj janë lutur që të bëhet kujdes maksimal.

“Duhet ta pranoj që nuk e kemi pritur një situatë të tillë. Kemi patur përshtypjen që vala nga jugu po zvogëlohej. Por e shikoni se sa mund të ndikoj papërgjegjshmëria e atyre që duhet të zbatojnë masat”.

Problemi është paraqitur tek dhjetëra qendra kolektive. Rritja e infeksioneve ka qenë në qytetin e Nishit, pasi në një strehimore për të moshuarit janë infektuar 140 persona për një herë. Policia ka arrestuar drejtorin e qendrës pasi besohet se nuk janë respektuar masat. Ndërsa edhe 69 të tjerë janë infektuar nëpër strehimoret tjera për të moshuarit.

Serbia ka filluar të ndërtojë kabina për dezinfektim që fillimisht do të vendosen nëpër qendra spitalore dhe institucione. Autoritetet thanë se policia do të shtojë kontrollin nëpër rrugë.

Tv Klan