Stuhitë e shiut që kanë shoqëruar ditët e fundit Lezhën kanë sjellë jo pak probleme me furnizimin me energji elektrike. Më problematike situata paraqitet për banorët e Njesisë Zejmen të cilët shprehen se kjo situatë ndodh gjithmonë kryesisht në sezonin e dimrit ku ka patur raste që kanë qëndruar më shumë se 2 ditë pa energji elektrike. Ata thonë se pavarësisht ankesave ndaj OSHEE situata nuk ka marre ende zgjidhje.

Për banorët e Zejmenit në Lezhë është shqetësues ky fakt pasi ata përdorin energjinë elektrike për tu ngrohur e nga ana tjetër shumë biznese detyrohen të qëndrojnë të mbyllur për shumë kohë.

Reshjet kanë shkaktuar probleme edhe në Qarkun e Shkodrës, e sidomos në disa akse rrugore ku ka patur rënie gurësh dhe inertesh në rrugë, por ekipet në terren kanë punuar për t’i pastruar.

Edhe sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar oret e fundit ka patur rrebeshe lokale në Rajonin Verior, duke sjellë rënie gurësh e inertesh si në, Dushaj-Sheshi i Tragetëve, Bogë-Theth, Hani Hotit-Tamarë Skuraj-Burrel, Lezhë-Vau Dejes, Ura e Zapodit-Shishtavec, Bajram Curri-Valbonë.

Edhe Durrësi është përfshirë nga reshjet e shiut gjatë orëve të fundit, ku nuk ka munguar edhe era e fortë. Për shkak të dallgëzimit në det, varkat e vogla të peshkimit nuk janë lejuar të dalin në det të hapur.

Reshjet në formë rrebeshi nuk kanë munguar as në Tiranë herë pas here, por nuk është raportuar për probleme. Sipas sinoptikanëve moti i paqëndrueshëm do të jetë prezent edhe në ditët në vijim.

Klan News