Rreth 75 mijë shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë nga vendet e Bashkimit Europian në vitin 2023.

Sipas të dhënave të Eurostat, kjo shifër ka rënë me 5% në krahasim me vitin 2022, kohë kur BE dha rreth 79 mijë leje qëndrimi të para për qytetarët shqiptarë.

“Sipas Eurostat punësimi mbetet arsyeja kryesore se përse shtetasit jashtë vendeve të BE-së kërkojnë të qëndrojnë në BE. Pjesa më e madhe e lejeve të qëndrimit të marra nga shqiptarët vjet konkretisht 42 mijë e tyre janë për arsye familjare. Ndërsa rreth 2 500 janë dhënë për arsye arsimimi”, raporton Dorina Halili, gazetare e Tv Klan.

Shqipëria është kështu në mesin e 20 shteteve jo pjesë e BE-së, qytetarët e së cilës kanë marrë më shumë leje qëndrimi nga vendet e BE-së për vitin 2023.

Në total BE ka lëshuar vjet më shumë se 3.7 milionë leje qëndrimi të para për shtetasit jashtë BE-së, një rritje prej 4.7% krahasuar me vitin 2022. Ky është edhe numri më i lartë i regjistruar deri më sot. 

Numri më i madh i lejeve të qëndrimit të para iu dha qytetarëve të Ukrainës (307 313), të ndjekur nga Bjellorusia (281 279) dhe India (207 966).

Tv Klan