Pak ditë më parë Zv.Kryeministrja Belinda Balluku tha se kjo pikë pranë mbikalimit ekzistues të Gramzës në aksin Thumanë-Kashar do të shërbejë për hyrje-daljet në autostradë. Sipas ekspertëve krijimi i rampave për aksesin në autostradë është zgjidhja më e mirë e mundshme dhe më e sigurt.

Arben Luzi, ekspert Rrugor: Mendoj që është zgjidhja me optimale që do të bëhet dhe është një zgjidhje me kosto shumë të ulët sepse ne sot kemi inxhinier ndërtimi, projektues të rrugës dhe zbatues që me një kosto shumë të ulët do të bëjnë katër degëzime në formë rampe që do të bëjnë të mundur kalimin e mjeteve në këto rampa. Kjo sipas meje është një zgjidhje shumë më e drejtë sesa rrethrrotullimi. Duke parë me statistika që bërja e nënkalimeve dhe rampave për futjen në rrugë e rrit sigurinë rrugore në një shkallë shumë të lartë.

Ndër të tjera ekspertet rrugor theksojnë se kjo zgjidhje me rampa duhet të jetë e përhershme sepse ka avantazh kundrejt rrethrrotullimit si për shpejtësinë, por edhe për sigurinë rrugore.

Arben Luzi, ekspert Rrugor: Duke marrë shkas nga vitet më para kur rruga ishte me rrethrrotullim dhe mjetet vinin nga Fushë-Miloti për në Fushës-Krujë kanë ndodhur disa aksidente. Bërja e rrethrrotullimeve apo diçka tjetër për mua e ul sigurinë rrugore për mënyrën se si drejtojnë drejtuesit e mjeteve sot në Republikën e Shqipërisë.

Referuar Zv.Kryeministres Belinda Balluku pas takimit me banorët e zonës së Thumanës dhe Fushë-Krujës, ndërtimi i rampave pranë mbikalimit të Gramzës do të nisë shumë shpejt në mënyrë që autostrada e re A1 të ketë lidhje me rrugën ekzistuese nga Fushë-Kruja në drejtim të veriut dhe anasjelltas.

Klan News