Lajme Arkiva 2003

Gazetarja: Këtu është pikërisht kilometri 29 i rrugës Tiranë-Elbasan. Rruga ka qenë e bllokuar gjatë orëve të para të ditës për shkak të dëborës e cila zbriti krejt papritur në të gjithë vendin në Veri dhe në Jug. Duket se policia e qarkullimit rrugor në të dy krahët ka filluar tashmë një bashkëpunim për të hapur rrugën për të bërë të mundur kalimin e qytetarëve të paktën në rrugën Tiranë-Elbasan.

Makinat që janë nisur në orët e para të mëngjesit nga Tirana drejt Elbasanit apo anasjelltas e kanë parë veten papritur nën reshje dëbore dhe brenda pak minutash situata është keqësuar.

Polic: Kanë mbetur makinat në segmentin këtu në kufi me Tiranën. Erdhëm këtu koordinuam punën me mirëmbajtjen rruga, ura, tani u hap rruga mund të lëvizin makinat, mjafton të jenë të pajisura me zinxhirë për efekt të ngricës pasi temperaturat janë shumë të ulëta dhe normalisht mundet ët ketë ndonjë ngricë. Do të marrim masa të kalojnë vetëm mjete me zinxhirë për momentin deri sa të hapet.

Me ndërhyrjen e policisë rrugore të rretheve Tiranë dhe Elbasan është bërë i mundur zhbllokimi i rrugës me fadroma, por mjaft akse përbëjnë rrezik për drejtuesit e mjeteve pasi era dhe temperaturat e ulëta kanë shkaktuar akull ndërsa asfalti tashmë është i rrëshqitshëm.

Shofer: Ne kemi dalë rreth orës 4:00 të mëngjesit, vijmë nga Tirana për në Elbasan. Gjatë rrugës binte borë, por s’na u duk diçka e pazakontë. Duke udhëtuar kishim disa vetura para kishin bllokuar rrugën, kishin ngelur nuk ecnin dot. Detyrimisht pastaj ngelëm edhe ne. U rreshtuam njëri pas tjetrit u bëmë rreth 20  makina.

Problem paraqitet edhe në qafë-thanë ndërsa Ministria e Rendit u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që udhëtojnë Tiranë-Korçë të mbajnë zinxhirë dhe të bëjnë kujdes.

Në veri të vendit trashësia e dëborës rrezikon bllokim të rrugëve për shkak edhe të ngricave. Ministria e Rendit njofton se po punon me këto akse dhe rruga e veriut deri më tani qëndron e hapur.

Në orët e ardhshme gjendja kushtëzohet nga rënia e pandërprerë e borës e cila vazhdon në Kukës si dhe nga temperaturat nën zero gjendje e vështirë e akseve rrugore paraqitet edhe në rrethin e Dibrës./tvklan.al