Prodhohet në Koman dhe Vaun e Dejës, Fierza mban rezervat

Reshjet e ditëve të fundit duket se kanë nisur të japin efektet e para pozitive edhe kaskadën e Drinit, një nga prodhuesit më të mëdhenj të energjisë në vendin tonë.

Burime zyrtare nga Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare thanë se këtë të hënë niveli i hidrocentralit të Fierzës është në 266 metra, ende larg nga kuota maksimale prej 296 metrash.

Për këtë arsye në Fierzë nuk ka nisur ende prodhimi i energjisë pasi aty po punohet për qellim rritjen e rezervës energjetike, duke akumuluar prurjet e lumenjve të vegjël për rritjen e nivelit të ujit. Të njëjtat burime thanë se prurjet në Fierzë janë aktualisht në nivelin 580 metër kub për sekondë.

Ndërkohë vijon prodhimi i energjisë në hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës. Aty prurjet janë në 680 metër kub për sekondë. Kaskada e Drinit vjen nga një periudhë e vështirë për shkak të thatësirës së tejzgjatur të verës që lamë pas dukë bërë që niveli i saj të bjerë në nivelet më të ulëta. Furnizimi i konsumatorëve me energji është bërë kryesisht me blerje në tregun ndërkombëtar.

Tv Klan