“Synojmë një fitore shembullore në zgjedhjet e ardhshme”

Në kuadër të procesit të ristrukturimit të Partisë Socialiste, Kryeministri Rama ka zhvilluar një mbledhje në Elbasan me dy organizatat e partisë të kësaj bashkie.

Në praninë e deputetëve, të zgjedhurve vendorë e të deleguarve të Asamblesë Kombëtare, kryesocialisti është shprehur se Elbasani është pikënisja e një turi mbarëkombëtar.

“Do shkoj në të gjithë Shqipërinë gjatë këtyre ditëve për të takuar organizata socialiste”, tha Rama. 

Për Ramën rienergjizimi i partisë që ndodhet në mandatit e tretë në pushtet është një domosdoshmëri jetike.

“PS duhet të jetë në gjendje që të ruajë lidershipin, të garantojë hegjemoninë e vet në jetën politike shqiptare. Ne na duhet një rienergjizim i organizatës së PS-së në radhë të parë dhe pastaj një riernegjizim i strukturave tona më lart dhe një rienergjizim i gjithë procesit të qeverisjes”, tha Rama. 

Kryesocialisti ka parashtruar para bazës së partisë objektivin për zgjedhjet e ardhshme.

“Në 2025 duhet të marrim një fitore më të madhe se e mëparshmja”, tha ai.

Në përfundim të takimit Rama u ka dorëzuar personalisht disa të rinjve teserat e anëtarësimit në Partinë Socialiste.

Tv Klan