Qytetarët duhet të kenë me vete edhe certifikatën e vaksinimit ose një test të mëparshëm

Ministria e Jashtme ka njoftuar se Greqia dhe Zvicra kanë ndryshuar rregullat për të hyrë në territorin e tyre, për shkak të situatës së koronavirusit.

Të gjithë udhëtarët drejt Greqisë, pavarësisht kombësisë dhe mënyrës së hyrjes në territorin grek, duhet: Të plotësojnë formularin elektronik PLF, të kenë kaluar të paktën 14 ditë nga vaksinimi për COVID-19 dhe të paraqesin një certifikatë vaksinimi, të lëshuar nga një autoritet publik.

Certifikata e vaksinimit duhet të përfshijë emrin e personit siç tregohet në pasaportë, llojin e vaksinës së administruar, numrin e dozave dhe datën në të cilën ato janë dhënë. Ose të jenë diagnostikuar negativë me një test laboratorik PCR për COVID-19, ose një test të shpejtë jo më të vonë se 72 apo 48 orët e fundit nga mbërritja në Greqi.

Testi duhet të jetë bërë në një nga laboratorët e autorizuar dhe të jetë në gjuhën Greke, ose në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht ose rusisht. Pavarësisht këtyre dokumenteve, Greqia ka vendosur që hyrja në territorin helen do t’ju lejohet vetëm atyre personave që diagnostifikohen negativë në një test të detyrueshëm laboratorik PCR ose rapid test, në pikat e hyrjes së Greqisë.

Po ashtu, prej 4 dhjetorit të gjithë personat që hyjnë në Zvicër, duke përfshirë edhe ata që janë vaksinuar ose janë shëruar nga Covid-19, duhet të testohen paraprakisht.  Madje, përveç testimit para mbërritjes, një test i dytë, duhet të kryhet në hapësirën kohore mes ditës së katërt dhe të shtatë, pas mbërritjes në Zvicër.  Këto masa janë marrë për të kufizuar  përhapjen e pandemisë Covid-19.

Klan News