Rrëzimi i helikopteri ushtarak EC 145 , pak ditë më parë në liqenin e Shkodrës, ka ardhur si pasojë e prekjes së helikës kryesore me ujin e liqenit, ç’ka më pas ka sjellë edhe rënien dhe fundosjen në ujin e liqenit.

Burime brenda ekipit hetimor, që po merren me zbardhjen e aksidentit fatal ku humbën jetën dy pilotë të Forcave Ajrore, mendojnë se shkaku kryesor  është pikërisht ky. Por mbeten ende të pazbardhura rrethanat se përse , po fluturonte aq ulët helikopteri ushtarak, dhe përse është anuar në anën e majtë të tij, aq shumë sa ka sjellë dhe kontaktin me ujin e liqenit, të helikës kryesore të tij duke sjellë më pas dhe rënien në ujë.

Kjo pasi rregullorja ushtarake e Forcave  Ajrore e ndalon uljen në atë nivel lartësie të mjeteve të fluturimit përvec rasteve kur bëhet fjalë për raste të mirëfillta të emergjencave civile.

Dy mund të jenë shkaqet, sipas hetuesve dhe ekspertëve ushtarake dhe ata të fabrikës së prodhimit të “Eurocopter”.

Gabimi njerëzor që ka sjellë më pas dhe devijimin nga plani i fluturimit, ose edhe një defekt i papritur që ka çuar në humbjen e ekuilibrit të fluturimit dhe më pas rënien e shpejtë në ujë, janë pistat që po hetohen.

Po ashtu, burime jo zyrtare, shprehen për TV Klan, se deri më tani rezulton se plani i stërvitjes i paraqtur nga drejtuesit e repartit të helikopterëve në Farkë, nuk korrespondon as me përbërjen e ekuipazhit dhe as me zonën ku ka fluturuar helikopteri.

Disi me nxitim, pasi ende nuk dihet asgjë rreth shkaqeve të aksidentit,  Ministrja e Mbrojtjes Kodheli i ka kërkuar po sot Presidentit të Republikës tu akordojë dy pilotëve të vdekur gjatë aksidentit Floran Delia dhe Donald Hoxha, dekoratën e Artë të Shqiponjës, me motivacionin se kane qenë ushtarake të devotshëm, pilotë të talentuar dhe të gatshëm të sakrifikojnë për të tjerët.

Por ndërkohë Presidenti i Republikës, edhe në rolin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ka pritur sot kryeprokuroin Llalla, për të marrë informacion të detajuar për hetimet, për të parë se cili është shkaku zyrtar i rrëzimit të tij dhe në varësi të këtij hetimit, mund të ndërmarrë edhe hapat përkatës.

Tv Klan