Një helikopter që transportonte presidentin iranian Ebrahim Raisi dhe ministrin e tij të Jashtëm u rrëzua këtë të diel teksa po kalonte në një terren malor të mbuluar nga mjegulla e dendur në rrugën e kthimit nga një vizitë në kufirin me Azerbajxhanin, ku u takua edhe me homologun Ilham Alijev. Fati i jetës së tyre është ende i paqartë.

Një zyrtar iranian tha se vendi ku është rrëzuar helikopteri është lokalizuar nëpërmjet celularit të njërit prej pasagjerëve. Mbi 40 ekipe të kërkim shpëtimit janë nisur për në zonë, por operacioni është vështirësuar për shkak të terrenit dhe motit të keq.

Televizioni shtetëror iranian ndaloi të gjithë programet e tij duke i kërkuar popullit të lutet për Raisin. Në një mesazh të tij Ajatollahu Ali Khamenei bëri apel që të ruhet qetësia. Mediat izraelite ndërkohë thonë se presidenti iranian ka humbur jetën, por Teherani ende nuk ka konfirmuar këtë.

Rusia dhe Turqia ofruan ndihmë në operacionin e kërkimit, ndërsa BE vuri në dispozicion hartat satelitore të zonës ku ka ndodhur ngjarja. 63-vjeçari Ebrahim Raisi u zgjodh president në 2021, dhe që nga marrja e detyrës ka qeverisur me dorë të ashpër ndaj kundërshtarëve dhe protestave popullore.

Tv Klan