Tragjedi në Brazil. Një aeroplan u rrëzua në shtetin São Paulo, duke vrarë të gjithë 62 personat që ndodheshin në bord.

Kompania ajrore Voepass, tha se aeroplani turboprop me dy motorë po fluturonte nga Cascavel drejt aeroportit kryesor të qytetit São Paulo kur u rrëzua pranë qytetit Vinhedo.

Pamjet që qarkulluan fillimisht në rrjetet sociale treguan avionin që zbriste vertikalisht duke bërë dhe disa spirale.

Me këtë mjet udhëtonin 58 pasagjerë dhe katër anëtarë ekuipazhi. Pak pas rrëzimit, autoritetet vendore konfirmuan se nuk ka të mbijetuar.

Autoritetet thanë se avioni ra në një ndërtesë banimi.

Rrjeti televiziv brazilian Globo transmetoi pamjet e një zone të madhe në zjarr dhe rrënojave të avionit në një zonë plot me banesa.

Sipas faqes së gjurmimit të fluturimeve Flightradar24, avioni i prodhuar në vitin 2010 u nis nga Cascavel në orën vendore 11:56. Sinjali i fundit i marrë nga avioni ishte rreth një orë e gjysmë pas nisjes.

Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, e mori vesh lajmin ndërsa mbante një fjalim dhe kërkoi një minutë heshtje për nder të viktimave.

Klan News