Mbetet në vlera të larta çmimi i karburanteve në vendin tonë. Në pika të ndryshme ai luhatet mes 159-170 lekë për litër. Kjo rritje çmimesh ndikon direkt në xhepat e qytetarëve dhe shumë prej tyre po i përdorin gjithnjë e më pak automjetet.

Qytetari 1: “Karburantet janë rritur jashtë mase, nuk e përballojmë dot makinën e nxjerr vetëm 1 herë në javë.”

Gazetarja: I keni kufizuar lëvizjet?

Qytetari 2: “Jashtë mase.”

Qytetari 3: “Shqipëria është bërë më e shtrenjtë se në çdo vend të botës, karburanti është shumë shtrenjtë.”

Gazetarja: Ndikon kjo në lëvizjen tuaj?

Qytetari 3: “Ndikon, ndikon dhe ndikon shumë, sepse këtu në Tiranë trafiku është shumë i rënduar dhe makina harxhon goxha.”

Rekordet e njëpasnjëshme të çmimit të arit të zi mund të çojnë të shkaktojnë recesion ekonomik në mbarë botën. Në tryezën e diskutimit të 8 superfuqive botërore të mbledhur në Aomori të Japonisë,  jepet alarmi se çmimet e rritura të naftës janë jashtë normales dhe përbëjnë një sfidë në shkallë globale.

Takimi i ministrave të G8-ës, vjen një ditë pasi në bursë nafta theu një tjetër rekord prej 139.12 dollarë për fuçi një rritje prej më shumë se 10 dollarësh. Një shtrenjtim i tillë brenda një dite, më i larti në histori, ishte pasojë e rënies së aksioneve në bursën amerikane dhe rënies së vlerës së dollarit.


Ekspertët thonë se kjo rritje vjen edhe nga klima e pasigurisë në Lindjen e Mesme dhe shtimit të papunësisë në Amerikë që në maj arriti në 5.5 %. Ndërkaq, në Shtetet e Bashkuara,  për herë të parë në histori u rrit edhe çmimi i gazit duke shkuar në katër dollarë për një galon./tvklan.al