“Një dron rus e ka shkelur hapësirën ajrore të Rumanisë gjatë sulmeve të mbrëmshme në shtetin fqinj Ukrainë”, tha anëtarja e NATO-s të dielën. Rumania i bëri thirrje Moskës ta ndalë këtë “përshkallëzim”.

Incidenti ndodhi kur ushtria ruse kreu sulme ajrore “ndaj caqeve civile dhe infrastrukturës së portit” përgjatë lumit të Danubit në Ukrainë, tha Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë.

Rumania i dërgoi avionët e vet luftarakë F-16 për ta vëzhguar hapësirën ajrore, si dhe i njoftoi aleatët e vet në NATO, tha Ministria.

Ushtria rumune tha se është duke kryer kërkime në zonën përreth fshatit Periprava në kufi me Ukrainën, ku dyshon se mund të jetë rrëzuar një dron. Autoritetet gjithashtu u dërguan mesazhe paralajmëruese banorëve në dy rajone lindore.

Autoritetet rumune kanë nisur një hetim për këtë incident. Prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, Rumania ka gjetur copëza të dronëve rusë në territorin e vet në disa raste dhe më së voni në korrik të këtij viti.

Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë i dënoi fuqishëm sulmet ruse në Ukrainë, duke i cilësuar ato si “të paarsyeshme dhe në kundërshtim të thellë me normat e ligjit ndërkombëtar”.

Disa njerëz janë vrarë dhe plagosur si pasojë e sulmeve ruse në pjesë të ndryshme të Ukrainës gjatë natës, njoftuan zyrtarët ukrainas të dielën.

Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, ushtria ruse kreu sulme natën e kaluar dhe mëngjesin e sotëm me katër raketa të telekomanduara nga rajoni Belgorod i Rusisë, si dhe me 23 dronë të prodhimit iranian, Shahed./REL