E qetë dukej situata mbi urën kryesore të lumit Ibër në Mitrovicë mëngjesin e së mërkurës, ndërsa vazhdojnë punimet për pastrimin dhe rregullimin e saj.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se nuk heziton të veprojë ndaj çfarëdo zhvillimi që mund të ketë.

Në deklaratën e lëshuar të martën vonë në mbrëmje pas një takimi që komandati i këtij misioni ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti, thuhet se KFOR-i ka kërkuar përmbajtje nga deklaratat nga të gjithë aktorët dhe nga veprimet.

“Kemi prani të dukshme dhe fleksibile në të gjithë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës, dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çfarëdo zhvillimi të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së.”

Për këtë takim ka folur në hapje të mbledhjes së qeverisë kryeministri Albin Kurti. Tha se hapja e Urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është kundër askujt, e aq më pak partnerëve të Kosovës.

Ura e Ibrit që nga paslufta nuk është shfrytëzuar për qarkullim pasi në anën veriore të Mitrovicës jetojnë shumica serbë e në atë jugore shqiptarë.

Tv Klan