Jep dorëheqjen ministri italian i kulturës Gennaro Sangiuliano.
Ai i ka dërguar një letër kryeministres Giorgia Meloni ku e falenderon për mbështetjen dhe jep dorëheqjen në mënyrë zyrtare.
62-vjeçari e gjente veten në një zhurmë të madhe mediatike pasi ai emëroi ish-të dashurën Maria Rosaria Boccia si këshilltare të tij.
Ai fillimisht mohoi thashethemet, por në një intervistë për televizionin shtetëror të mërkurën, Sangiuliano pranoi lidhjen me Boccia dhe punësimin e saj si konsulente pa pagesë.
Ministri italian i kërkoi falje gruas së tij në intervistën e së mërkurës dhe pretendoi se ai e kishte ndërprerë romancën me bukuroshen bionde gjatë verës.
Ai tha se e takoi për herë të parë në Napoli në maj, përpara se miqësia e tyre të shndërrohej në një marrëdhënie sentimentale.
Ajo çfarë shkaktoi zemërimin e publikut ishin fotot e postuara në llogarinë e saj, ku Boccia dokumentoi udhëtime të shumta me Sangiuliano në vizitat e tij zyrtare, duke shkaktuar pyetje nëse paratë e shtetit janë shpenzuar për udhëtimin apo akomodimin e saj.
Ministri mohoi se fondet publike janë shpenzuar për Boccia.Ai tha gjatë intervistës për televizionin shtetëror se “asnjë euro” nuk ishte shpenzuar për udhëtimet e ish-partneres. Ai paraqiti dokumente të cilat tregonin se kishte qenë vetë ai kishte paguar për shpenzimet e ish-të dashurës.
Klan News