Të ftuarit mëngjesin e sotëm në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan diskutuan nëse kauzat janë një element ndikues në shoqërinë tonë. Për këtë temë paneli i të ftuarve iu referua kryesisht garës së vrapimit që do të zhvillohet më 20 Tetor në Tiranë me moton “Run for autism”.

Vita Beshiri është nëna e një djali i cili është me spektrin autik, për publikun ajo rrëfen rëndësinë që kanë të tilla aktivitete në gjendjen emocionale të fëmijëve.

“Kur unë i tregoja bluzën që kishte veshur atë ditë dilte me vrap nga dera e shtëpisë për të vrapuar,” kështu ka nisur të tregojë ajo përjetimet e të birit pas garës së vrapimit vitin e kaluar në kuadër të ndërgjegjësimit për autizmin.

Katerina Trungu: Vita ndërkohë djali juaj ka qenë pjesë e “Run for autism” vitin e kaluar, si është ndjerë, si e përjetoi ai në aspektin fizik, por edhe atë emocional?

Vita Beshiri: Është shumë e rëndësishme që këta adoleshentë të marrin pjesë në aktivitete fizike. Të vraposh për autizmin në veçanti është një emocion jashtëzakonisht i madh. Djali është ndjerë shumë i emocionuar, kur unë i tregoja bluzën që kishte veshur atë ditë dilte me vrap nga dera e shtëpisë për të vrapuar, është një emocion që ai e përjeton edhe ditë më pas.

 Katerina Trungu: Ju ia keni shpjeguar më parë se çfarë është?

Vita Beshiri: Patjetër që ia kemi shpjeguar në natyrën që ai mund të kuptojë, por ku vrapojnë dhe bëjnë një aktivitet këta fëmijë çlirojnë energji. Janë më të emocionuar, janë më të lirshëm, janë më të natyrshëm në përditshmërinë e tyre. Prandaj vrapi është një nga ato elementë që janë shumë të rëndësishëm për këta fëmijë.

Katerina Trungu: Nga ana sportive, është e rëndësishme që të merren me aktivitet sportiv edhe adoleshentët edhe të rinjtë, por edhe të rritur me autizëm?

Më tej gjatë diskutimit në studio sportisti Gentjan Muça foli për rëndësinë që kanë të tilla gara në kujdesin shëndetësor dhe atë emocional tek adoleshentët me spektrin autik, por dhe tek të rriturit.

Gentjan Muça: Pa diskutim jo vetëm për adoleshentët me spektrin me autizëm, po ashtu sa kemi mundësi dhe hapësirë ne këshillojmë edhe personat e tjerë të moshave të ndryshme që të merren me aktivitet fizik. Pasi jo vetëm që ndihmon në qarkullimin e mirë të gjakut pasi po shikojmë që ka kapluar këtë shoqërinë tonë dembelizmi, është shumë e vështirë dhe ti duhet t’ia shpjegosh disa herë se çfarë benefitesh ke që të merresh me aktivitet fizik dhe kjo ka qenë sfida jonë më e madhe për të thirrur njerëz dhe për t’u bashkuar në maratonë. Një aktivitet fizik prej 30 minutash në ditë përmirëson çdo gjë në shëndetin e njeriut, veçanërisht në këta fëmijë të cilët kanë nevojë të shprehin emocionet e tyre dhe duke e bërë këtë me një aktivitet fizik, dihet që është ajo lodhja në fillim, por më pas ke kënaqësinë që ti e ke kryer këtë aktivitet fizik dhe ke një ndjesi të brendshme shumë të mirë./tvklan.al