Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, ishte e pranishme në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian. Santos u shpreh se çelja e negociatave ka qenë një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Ajo theksoi se ka ardhur koha që reformat të përshpejtohen dhe jo të ndalohen.

“Ka ardhur koha që të përshpejtohen reformat dhe procesi i reformave. Jo të ndalohen ato, por të përshpejtohen në mënyrë që Shqipëria të bëhet pararendëse në këtë proces. Unë jam vërtetë shumë e sigurt që Shqipëria i ka kushtet për të qenë pararojë e vërtetë në këtë proces. Ekziston nevoja për të patur një vizion strategjik për rrugën që do të ndiqen dhe një plan konkret për hapat që do të ndërmerren. Roli i Kuvendit në periudhën e ardhshme do të jetë tejet i rëndësishëm. Unë kuptoj të gjithë hapat që keni ndërmarrë për ta përfshirë tërwsisht kuvendin në këtë proces. Tashmë që po ecni përpara besoj se ju mund të keni një ecur të vërtetë për legjislacionin e ri i cili do të hartohet në përputhje me atë europiane”, u shpreh Santos.

Ajo tha se Shqipëria ka marrë vitet e fundit reforma të vështira dhe vendime të forta politike.

Reforma e sistemit të drejtësisë është një shembull i tillë. Pra një reformë e domosdoshme e cila do të fuqizojë ecurinë e Shqipërisë në fushën e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Sistemi gjyqësor në Shqipëri është në rrugën e duhur për tu bërë më i shëndetshëm”, theksoi ajo.

Santos u shpreh se integrimi europian duhet të jetë një proces i thellë shoqëror ku përfshin jo vetëm mazhorancën, por opozitën, shoqërinë civile dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Vetëm duke u bërë të gjithë bashkë, atëherë tha Santos, procesi i integrimit mund të jetë i suksesshëm.

“Në mënyrë të veçantë më gëzon fakti që vij këtu në Këshillin Kombëtar për Integrimin Europian. Ky format tregon që integrimi europian nuk është vetëm qeveria, mazhoranca, dhe nuk është vetëm procesi teknokratik në vetvete, por duhet të jetë një proces i thellë shoqëror që përfshin shoqërinë civile dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Duhet të jetë një proces transparent dhe gjithpërfshirës. Vetëm kur e gjithë Shqipëria të bëhet bashkë, atëherë procesi i integrimit do të jetë i suksesshëm”, u shpreh Santos./tvklan.al