Dasma është një nga kujtimet më të bukura për një çift që mbart esencën e ditës së bashkimit të tyre në martesë. Kjo është tema e ditës në “Rudina” në Tv Klan ku secili prej të ftuarve rrëfen emocionet e tij të asaj dite.

Olga Kalimerën e njohim për krijimet e bukura të eventeve, por 24 vite më parë kishte një arsye të fortë që nuk donte ta bënte dasmën. Megjithatë, ajo ditë e paharrueshme u organizua, sigurisht shumë ndryshe nga dasmat e sotme por për të mbeten emocione të papërsëritshme.

Olga Kalimera: Unë nuk e kam patur babain, babain e kam humbur shumë shpejt dhe nuk doja të bëja dasmën e madhe se thosha që nuk ka mundësi që unë të shkoj në kishë dhe mos të më shoqërojë babai, kështu që deri në momentin e fundit nuk kisha veshur as fustanin e bardhë, isha me rrobat e shtëpisë. Momenti që më morën të dy vëllezërit e mi dhe më çuan drejt kishës që më priste burri, nuk do ta harroj kurrë. Betimet, kurorën, vallen e Isaisë që bëjmë aty dhe momenti i hedhjes së orizit…

Armand Peza: Vallja e Isaisë është ajo që bëhet në kishë rreth altarit në kishën ortodokse se Olga është orodokse.

Rudina Magjistari: Edhe unë ortodokse jam, por nuk e di.

Armand Peza: Ka një rit, nusja dhe dhëndri për herë të parë si bashkëshortë, është e rëndësishme. Më fal, u hodh orizi dhe çfarë ndodhi?

Olga Kalimera: U hodh orizi, u trashëguam dhe ishte dasma e parë që u bë pas një 10-vjeçari trazirash, nga 1990-2000 njerëzit vetëm iknin nga Gjirokastra dhe sidomos nga Dropulli, nuk po bëheshin dasma, nuk po bëheshin fejesa.

Olga ka sjellë edhe një foto nga dasma, një imazh i shkrepur kur ajo dhe bashkëshorti ndodhen në altar, përpara priftit. Ajo ka vetëm një ‘peng’ për atë ditë por që sot është kthyer në një trend.

Olga Kalimera: E pakrehur, e palyer, natyrale. Kam shumë merak që nuk kam shkuar në një parukiere që unë të bëhesha nuse ashtu siç duhet,  por…

Rudina Magjistari: Ti e bëre vetë tualetin atë ditë?

Olga Kalimera: Po, diçka e vogël me një kushërirën time, nuk e di sesi m’i kapi flokët, s’i m’i bëri, pastaj e kisha fiksim kur shihja nuset që shkonin nëpër floktore, vishnin dhe fustane të bukura, pse s’e bëra edhe unë?/tvklan.al