Rozi e ka filluar jetën me sfida të forta. Në një rrëfim në “Ka Një Mesazh Për Ty”, zonja e hijshme nga Shkodra rrëfen për një fëmijëri të lumtur derisa në moshën 10-vjeçare, nëna e saj u sëmur rëndë.

Nga ai moment, shprehet Rozi në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ajo u bë zonja e shtëpisë që qëndronte zgjuar gjithë natën për t’u kujdesur për nënën.

Rozi: Fëmijërinë time e kam pasur të mrekullueshme deri në moshën 10-vjeçare. Jam rritur në një familje me dy prindër e dy vëllezër, duke qenë edhe vajzë e vetme më kanë dhënë shumë dashuri. Sapo mbusha 10 vjeçe, nëna ndjesë pastë, kaloi një sëmundje shumë të rëndë dhe mbeti në krevat. Kjo zgjati për 10 vjet. U bëra si zonjë shtëpie.

Aty sinqerisht filluan edhe vuajtjet, si koha, fukarallëku, gjithçka që mungonte. Nëna që në atë kohë ushqehej vetëm me lëngje kjo ishte dhimbja më e madhe që kam përjetuar në jetën time. Kujdesesha për nënën, mësoja gjithë natën, shkoja në shkollë, shpeshherë në orën e gjashtë kur bënim 6 orë mësim mua më zinte gjumi në klasë ngaqë s’flija gjithë natën. Në vitin ‘86 na erdhi një gëzim në shtëpi.

Vëllai i madh u martua. Nusja ishte shumë e re e unë kisha shumë dhimbje kur e shikoja ashtu, i kisha harruar ato gjërat e mia por ajo u bë një burim dashurie, mirësie, gëzimi për të gjithë familjen tonë. /tvklan.al