Pavarësisht që ende zyrtarisht nuk kanë filluar ndëshkimet të cilat janë paralajmëruar pas përfundimit të periudhës së tranzicionit shumë biznese të udhëhequra nga serbët po e zbatojnë rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës. Qytetarët thonë se tani po funksionojnë vetëm me Euro.

“Sapo i marr dinarët prej andej – (Serbisë), duhet t’i kthej në Euro. I konvertoj këtu (Kosovë). S’kemi ç’të bëjmë kështu duhet”.

“Ata po bëjnë siç po duan. Ne mund t’ i tërheqim dinarët, por nuk po mund të blejmë asgjë me to”.

Ndonëse periudha e tranzicionit ka filluar deri më tani askush nuk ka sqaruar se si planifikohet të vazhdohet, do të ketë ndëshkime dhe gjoba apo do të priten rezultatet e takimit në Bruksel të mërkurën.

Ende ka mbetur pa u zgjidhur çështja e mënyrës së pagesave që bëhen nga Serbia në Kosovë. Palët deri më tani nuk kanë gjetur një kompromis, e Serbia ka refuzuar edhe propozimin e fundit të ndërmjetësit Miroslav Lajçak në takimet e Brukselit e që janë mbajtur 6 me radhë.

Analisti Artan Muhaxhiri thotë se nuk ka ndonjë indikator që në takimin e shtatë që do të mbahet të mërkurën në Bruksel do të ketë ndonjë rezultat konkret.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se hezitimi për të gjetur zgjidhje për çështjen e dinarit është duke ndikuar edhe në çështjet tjera me të cilat nuk po merren në dialogun Kosovë- Serbi, për shkak se fokusi tash është në këtë çështje.

BQK-ja ka thënë të hënën se pas përmbylljes së periudhës transitore i ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe.

Tv Klan