81 të infektuar vetëm në Tiranë

Situata me pandeminë e koronavirusit në vendin tonë vijon të përkeqësohet duke shënuar të tjera shifra rekord. Në 24 orët e fundit u konfirmuan 139 raste, numri më i lartë ditor që nga shfaqja e Covid-19. Një rekord më vete ka vendosur edhe Tirana, me 81 raste të reja.

“Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 81 raste në Tiranë, 10 në Berat, 8 në Durrës, 7 në Tropojë, 6 në Elbasan, nga 3 raste në Shkodër, Kukës, Lezhë, Kavajë, Pogradec, nga 2 raste në Korçë, Divjakë, Shijak, nga 1 rast në Lushnje, Mirditë, Tepelenë, Vau i Dejës, Malësi e Madhe, Bulqizë”.

6 qytetarë nuk arritën ta fitojnë betejën me virusin, duke e çuar numrin total të viktimave në 182.

“Edhe pas përpjekjeve të mëdha të ekipeve mjekësore, fatkeqësisht nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, një 58 vjeçar nga Durrësi, një 70 vjeçar nga Kruja, dhe një 82 vjeçare nga Shijaku. Nuk e kanë fituar betejën, një 63 vjeçar nga Kukësi, një 64 vjeçar nga Shkodra, një 69 vjeçar nga Elbasani”.

Një situatë e vështirë mbetet në spitale, ku numri i të shtruarve mbetet ende i lartë.

“Aktualisht në Spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 110 pacientë te konfirmuar pozitiv ku 21 paciente janë në terapi intensive, 6 prej të cilëve pacientë të intubuar”.

Nisur nga rritja e numrit të rasteve të reja, Ministria e Shëndetësisë i bën thirrje qytetarëve që të shmangin grumbullimet masive në lokale, bare, dhe çdo lloj ceremonie që shkakton rrezik për shëndetin dhe bëhet burim i shpërndarjes së infeksionit.

Tv Klan