Irani po përgatitet të nisë së shpejti një sulm me raketa balistike ndaj Izraelit. Kështu deklaruan zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Mbrojtjes. Irani do të përballet me pasoja të rënda nëse kryen një sulm, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Te dhenat e fundit tregojne se ky sulm mund të jetë më i fuqishëm se ai në muajin prill, ku më shumë se 100 raketa u hodhën drejt Izraelit. Menjëherë pas paralajmërimit të SHBA kryeministri Benjamin Netanyahu në një fjalim drejtuar qytetarëve të tij ai u bëri thirrje që t’i kushtojnë vëmendje udhëzimeve të sigurisë.
“Unë ju kërkoj dy gjëra: një, t’i bindeni rreptësisht direktivave të Komandës së Frontit të Brendshëm, kjo shpëton jetë. Dhe së dyti, të qëndrojmë së bashku.”
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari thotë se ushtria është e gatshme të mbrohet dhe çdo sulm nga Irani do të kishte pasoja. Disa orë para këtij njoftimi, Hagari tha se ushtria izraelite kishte filluar një operacion të pjesshëm tokësor në disa zona kufitare libaneze. Qëllimi i operacionit është të goditen zonat e kontrolluara nga grupi militant Hezbollah, që ka mbështetjen e Iranit.
Përshkallëzimi i situatës ka alarmuar disa shtete për rrezikun e shpërthimit të një lufte të gjërë. Nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan kërkoi nga kjo organizatë të ushtrojë forcë për të ndalur Izraelin.
Klan News