Debate, përplasje dhe zjarr në oborrin e parlamentit. Opozita ka nisur në këtë formë aksionin politik pas burgosjes së deputetit demokrat Ervin Salianji. Seanca nisi me bllokim të foltores së parlamentit. Përplasja me gardën nisi në momentin kur kryetarja e Kuvendit njoftoi heqjen e mandatit të deputetit Ervin Salianji.

Më pas deputetët e PD-së morën karriget e tyre në sallë dhe i grumbulluan në oborrin e parlamentit. Pasi i spërkatën me benzinë, Bledjan Nallbati dhe Flamur Noka i vunë flakën karrigeve. Pas afro 10 minutash, deputetën e PD-së u futën sërish në sallën e parlamentit ndërsa punonjësit e gardës, fikën zjarrin. Teksa i afroheshin foltores, deputeti Bardhi i shkul mikrofonin Erion Braçes. Kryetarja e Kuvendit e përjashtoi nga seanca deputetin demokrat dhe përballë këtij kaosi, u detyrua të mbyllë seancën parlamentare. Deputetët demokratë paralajmëruan se aksioni do të vijojë në çdo seancë parlamentare.

Deputetët demokratë u bënë thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e së hënës, në orën 18:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Klan News