Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin ka urdhëruar vendosjen e një nëndetëse me raketa të drejtuar në Lindjen e Mesme, ndërsa rajoni po përgatitet për sulme të mundshme nga Irani dhe aleatët e tij pas vrasjes së zyrtarëve të lartë të Hamasit dhe Hezbollahut.

Pentagoni ka bërë të ditur se Austin urdhëroi gjithashtu që aeroplanmbajtësi “Abraham Lincoln” ta përshpejtojë dislokimin në rajon. Abraham Lincoln ka qenë e stacionuar në Azi-Paqësorin dhe tashmë ishte urdhëruar të lëvizte në Lindjen e Mesme për të zëvendësuar aeroplanmbajtësen USS Theodore Roosevelt.

“Sekretari Austin e përsëriti përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për ta ndërmarrë çdo hap për ta mbrojtur Izraelin dhe nënvizoi përforcimin e pranisë së ushtrisë dhe armëve amerikane në Lindjen e Mesme pas përshkallëzimit të tensioneve rajonale”, thuhet në njoftim.

Ushtria amerikane ka deklaruar se do të vendosë avionë luftarakë shtesë dhe anije luftarake të marinës në Lindjen e Mesme, ndërsa Uashingtoni kërkon të forcojë mbrojtjen izraelite. Ismail Haniyeh, lideri politik i Hamasit të mbështetur nga Irani, u vra në kryeqytetin iranian Teheran më 31 Korrik, një sulm që tërhoqi kërcënimet për hakmarrje nga Irani kundër Izraelit, i cili po lufton grupin islamik palestinez në Gaza. Irani fajësoi Izraelin për vrasjen. Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë.

Vrasja e komandantit të lartë ushtarak të grupit libanez Hezbollah të mbështetur nga Irani, Fuad Shukr, nga Izraeli në një sulm në Bejrut, kanë nxitur shqetësimin se konflikti në Gaza po shndërrohet në një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Ndërkaq sulmet izraelite vranë të paktën 25 palestinezë në të gjithë Gazën në 24 orët e fundit. Shifrat nga Byroja Qendrore Palestineze e Statistikave tregojnë se forcat izraelite kanë vrarë 1.8 për qind të popullsisë së Rripit të Gazës që nga 7 tetori, 75 për qind e viktimave nën 30 vjeç. Dhjetëra mijëra palestinezë janë detyruar të largohen nga Khan Younis dhe të flenë në trotuare pa ushqim dhe ujë.

Izraeli ka zgjeruar urdhrat e evakuimit në Khan Younis në Rripin jugor të Gazës duke detyruar dhjetëra mijëra banorë palestinezë dhe familje të zhvendosura të largohen.

Klan News