Makthi i dëmtimeve vazhdon të ndjekë mesfushorin e Shqipërisë, Arbnor Muçolli.

Pasi mbeti jashtë Europianit, për shkak të problemeve fizike, 24-vjeçari tani po përballet edhe me një tjetër lëndim më të rëndë.

Lojtari ka dëmtuar keq ligamentet, në ndeshjen e fundit të kampionatit, ku Goteborg, u përball me Varnamo.

Shqiptari u largua nga fusha mes dhimbjeve të mëdha, ndërsa ekzaminimet zbuluan më të keqen. Muçolli ka dëmtuar keq ligamentet dhe do i nënshtrohet operacionit.

Koha e rikuperimit nuk dihet ende, por viti për të është mbyllur dhe do të jetë i gatshëm vetëm në 2025.

“Unë ndjeva shumë dhimbje menjëherë sapo ndodhi dhe e kuptova që nuk ishte aspak e mirë. Kur mora mesazhin se çfarë ishte, ishte ndjesi e vështirë dhe kanë qenë disa ditë të vështira. Por tani po pres me ndërhyrjen kirurgjikale dhe të luftoj të kthehem përsëri i fortë në vitin 2025”, tha mesfushori ofensiv shqiptar.

Muçolli pëlqehet shumë nga trajneri Silvinjo, që donte ta merrte edhe në Europian, por për shkak të dëmtimit nuk u realizua. /tvklan.al