Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, ka njoftuar se tre pacientë që kanë marrë trajtim në kuadër të Klinikës Emergjente, kanë rezultuar si pozitivë në COVID-19.

I.SH (1955), i transferuar nga Spitali i Përgjithëm në Ferizaj, ka ardhur në gjendje të rëndë shëndetësore, dhe i njëjti për shkak të arrestit kardiak, përkundër angazhimit maksimal nga stafi mjekësor i Klinikës Emergjente, nuk ka arritur të mbijetojë. I njëjti ka rezultuar pozitiv pasi iu bë testimi pas vdekjes“, thuhet në njoftim.

Dy rastet tjera përfshijnë një punëtor fizik nga Malisheva dhe një pacient nga Mitrovica. Ndërkaq Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njoftoi se gjithsej pesë persona janë konfirmuar gjatë ditës së sotme me koronavirus.

Me këto të dhëna, numri i të infektuarve në Kosovë arrin në 170 ndërkaq i viktimave në 4. Të shëruar janë regjistruar 24 pacientë. Nga radhët e komunitetit serb, janë infektuar 33 persona, ndërsa një ka vdekur. Komuniteti serb i raporton rastet e veta në Serbi. /REL