E kush nuk do që për një sezon të jetë numri 1 në klubin Tirana? Donatorët e ekipit kryeqytetas pas një mbledhje prej më shumë se 3 orë e gjysmë nuk kanë rënë dakord të votojnë njërin prej tyre, që këtë sezon të drejtojë me kompetenca të pakufizuara klubin, kështu që kanë vendosur ta hedhin me short, madje me letër me vrime dhe letra me vrimë i ra pikërisht Refik Halilit.

Ky do të jetë njeriu që do të ketë veton ndër donatorët e tjerë.

“Donatorët me short zgjodhën si drejtues të donatorëve për sezonin 2008-2009 zotin Refik Halili. Ai do të kryesojë gjithë klubin e Tiranës për këtë sezon.”

Gazetari: “Cilat do të jenë kompetencat e zotit Halili për këtë një vit mandat?”

“Do të menaxhojë të gjithë buxhetin e donatorëve një, do t’i propozojë kryesisë emrin e trajnerit të ri që do të drejtojë klubin e Tiranës për sezonin në vazhdim. Trajneri i ri që do të zgjidhet brenda javës do të vendosi edhe zgjedhjet e lojtarëve.”

Për pak ditë pritet që biznesmeni i ndërtimeve Refik Halili të vendosë nëse do të mbajë Sulejman Memën si trajner, apo do të propozojë një teknik tjetër. Mandati i Refik Halili do të hyjë në fuqi në 1 qershor të vitit 2008 dhe do të përfundojë më 1 qershor të vitit të ardhshëm.

Pas tij i takon Agron Papulit e më pas zonjës Shefikat Ngjela, në fund është Avni Nuri. Rotacioni i donatorëve do të vazhdojë derisa klubi të kthehet në shoqëri aksionare./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe