Një shpërthim me tritol ndodhi mbrëmjen e kësaj të enjteje në Tiranë. Burime për gazetarin Besar Bajraktaraj bëjnë të ditur se shpërthimi ka ndodhur në një fasoneri në rrugën “Fadil Deliu”, në zonën e Freskut.

Sipas gazetarit, në momentin e shpërthimit në fasoneri nuk ka pasur njeri dhe nga ngjarja ka vetëm dëme materiale. Biznesi mësohet se është në pronësi të italianit Roberto Bingaido.

Zyrtarisht policia tha se ishte vendosur një sasi e vogël lënde plasëse, megjithatë shpërthimi u dëgjua në të gjithë zonën përreth. Banorët thanë se ai ishte i fuqishëm duke lëkundur edhe dritaret e shtëpive.

Si rrethanat, ashtu sikurse autorët e vendosjes së lëndës plasëse, momentalisht nuk dihen. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e saj.

“Më datë 25.05.2023, rreth orës 21:50, në rrugën “Fadil Deliu”, në portën e jashtme të një fasonerie në pronësi të shtetasit Italian R. B , dyshohet se ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse. Si pasojë është dëmtuar dera e jashme e hekurit, thyer disa xhama dhe një automjet që ka qënë i parkuar. Nuk ka persona të dëmtuar. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/eve“, tha Policia e Tiranës në një njoftim për mediat./tvklan.al