Konsullata e Shqipërisë në Stamboll ka vendosur kurorë me lule në sheshin “Taksim”, aty ku dy ditë më parë shpërtheu një bombë duke shkaktuar 6 të vrarë dhe dhjetra të plagosur.

“Kurorë me lule në nderim të viktimave të aktit terrorist të 13 nëntorit në sheshin “Taksim”. Konsullata e përgjithshme e RSH në Stamboll, në emër të Republikës së Shqipërisë dënon me forcë terrorizmin dhe është pranë popullit turk, familjeve të viktimave dhe të lënduarve në këto momente dhimbje”, njofton Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Stamboll.

Shpërthimi është konsideruar si terrorist dhe një grua është arrestuar, e cila akuzohet se ka vendosur bombën.

Autoritetet turke kanë thënë se 23-vjeçarja siriane Ahlam Albashir është anëtare e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e shpallur organizatë terroriste nga Turqia dhe e njohur si e tillë edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. /tvklan.al