Një kërcënim edhe për destabilitet në rajon e kanë konsideruar liderët e politikës shqiptare, sulmin e paprecedentë sipas tyre të Iranit kundër Izraelit. Presidenti Bajram Begaj thotë se çdo përshkallëzim mund të sjellë efekte të pakthyeshme.

Bajram Begaj, president i Republikës: Shqipëria dënon ashpër sulmin e paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit dhe shpreson se nuk do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm. Çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të rrezikojë paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe të ketë efekte të pakthyeshme në një shkallë më të gjerë.

Kryeministri Edi Rama shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e shtetit shqiptar ndaj Izraelit, ndërsa e konsideron këtë sulm një rrezik edhe për rajonin.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Shqipëria dënon ashpër sulmin e paprecedentë të nisur nga Irani kundër Izraelit, i cili përbën një kërcënim për të destabilizuar rajonin në mënyrë të pakthyeshme. Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin izraelit dhe mbështesim plotësisht përpjekjet e partnerëve tanë drejt de-përshkallëzimit. Shqipëria mbron përmbajtjen dhe thekson nevojën kritike për një armëpushim në Gaza duke u siguruar që të gjithë pengjet të mund të kthehen të sigurt në shtëpi.

Sulmi është dënuar edhe nga ministri Igli Hasani, ndërsa ministria e Punëve te Jashtme njofton se është në komunikim të pandërprerë me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Izrael si edhe me të gjithë shtetasit shqiptarë, me qëndrim të përkohshëm apo të përhershëm në Izrael.

Klan News