Mundësi të jashtëzakonshme për promovim e ka cilësuar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ftesën që ka marrë Shqipëria për të qenë vitin e ardhshëm vendi i nderit në panairin më të madh në botë të turizmit që mbahet në Berlin.

Gjatë takimit që zhvilloi me kreun e “MESSE BERLIN”, Mario Tobias dhe drejtoreshën e ITB Berlin, Deborah Rote, kryebashkiaku Veliaj tha se kjo tregon momentin e mirë që po kalon turizmi në vendin tonë.

“Na keni dhënë një mundësi të jashtëzakonshme. Falë këmbënguljes së ministres Kumbaro, për të qenë vendi pritës në panairin ndërkombëtar të turizmit në Berlin, kjo është edhe një mundësi fantastike për të mësuar çfarë nuk funksionon në qytetet e tjera, që të mos i bëjmë ne ato gabime. Fakti që sot diskutojmë këto probleme do të thotë se është një moment i mirë për Shqipërinë dhe një moment i mirë për Tiranën. Mezi pres t’ju shoh në Berlin”, tha Veliaj.

Më tej kryebashkiaku Veliaj theksoi se falë punës së qeverisë, bashkisë dhe ministrisë së Turizmit, sot Tirana është një destinacion turistik në 365 ditë të vitit.

“Ne duam të bëjmë pjesën tonë si qytet, i cili falë punës së Qeverisë dhe Ministrisë të Turizmit, ka sot 365 ditë turizëm. Kjo ka sjellë shumë para në ekonomi, ka rritur vlerën e pronës, ka sjellë shumë reputacion, por nga ana tjetër ka edhe ato sfidat e veta sepse ka më shumë mbetje që prodhohen, ka më shumë trafik, megjithëse këto  janë sfida të botës së parë, jo të botës së tretë”, tha Veliaj.

Duke vlerësuar turizmin shumëngjyrësh të vendit tonë, presidenti i Qendrës së Panaireve të Berlinit, Mario Tobias tha se “ITB Berlin”, një prej eventeve më të rëndësishme në sektorin e turizmit, ka për qëllim promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Tv Klan