Skandali i Onkologjikut, që zbuloi skemën që përdornin mjekët për të orientuar pacientët drejt klinikave të tyre private, për Kryeministrin Edi Rama është tregues se vendi ynë ka nevojë që të përmirësojë sistemin dhe mënyrën e menaxhimit të spitaleve.

“Ajo që ndodhi te Onkologjiku ishte shumë prekëse, ishte dhe një tregues që kemi akoma nevojë të përmirësojmë sistemin, mënyrën e menaxhimit. Ne mund të kemi mjekë shumë të mirë, mirëpo kur të del një rast si ai, godasin besimin te sistemi”.

Këtë deklaratë kreu i qeverisë e bëri në podcastin “Flasim” ku kishte të ftuar mjekun e njohur neurokirurg Kita Sallabanda i cili punon në Spanjë.

Teksa theksoi se fytyra e spitaleve shtetërore ka ndryshuar, mjeku dha dhe dy këshilla për qeverinë.

 “Pashë sallat e kirurgjisë së përgjithshme. Nuk ka asnjë ndryshim nga asnjë sallë kirurgjie në çdo vend të botës. Duhet mbushur me dy gjëra: Me aparatura dhe duhet që të përkrahen mjekët që janë atje”.

Duke vlerësuar investimet e bëra nga qeveria në sistemin e shëndetësisë, Kryeministri Rama tha se spitalet i shajnë ata persona që nuk i kanë parë transformimet e ndodhura në vitet e fundit.

Klan News