Një valë sulmesh ajrore izraelite goditën periferitë jugore të Bejrutit herët mëngjesin e kësaj të shtune.

Këto sulme u kryen shumë pak orë pas një sulmi masiv që Izraeli kreu të premten në qendrën komanduese të lëvizjes së mbështetur nga Irani Hezbollah, që me sa duket kishte në shënjestër liderin Hassan Nasrallah. Ka ende raporte kontradiktore në lidhje me fatin e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.

Dëshmitarët thanë se kanë qenë më shumë se 20 sulme që ndodhën para agimit të së shtunës.

Mijëra libanezë braktisën shtëpitë e tyre në periferitë jugore dhe u mblodhën në sheshe, parqe dhe trotuare në qendër të Bejrutit dhe në zonat bregdetare. Burimet e sigurisë në Liban thanë se shtatë ndërtesa u shkatërruan dhe se objektivi ishte një zonë ku zakonisht qëndrojnë  zyrtarët e lartë të Hezbollahut.

Hezbollahu mohoi se kishte ndonjë armë apo depo armësh në ndërtesat që u goditën në periferi të Bejrutit. Ushtria izraelite tha në një deklaratë se kishte vrarë komandantin e njësisë raketore të Hezbollahut, Muhammad Ali Ismail dhe zëvendësin e tij Hossein Ahmed Ismail.

Autoritetet shëndetësore libaneze konfirmuan gjashtë të vdekur dhe 91 të plagosur në sulmin fillestar të premten, i katërti në periferitë jugore të Bejrutit të kontrolluara nga Hezbollahu në një javë dhe më i rëndi që nga një luftë e vitit 2006.

Përshkallëzimi i fundit ka rritur ndjeshëm frikën se konflikti mund të dalë jashtë kontrollit, duke tërhequr potencialisht Iranin, mbështetësin kryesor të Hezbollahut, si dhe Shtetet e Bashkuara.

Disa orë përpara breshërisë së fundit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u tha Kombeve të Bashkuara se vendi i tij kishte të drejtë të vazhdonte fushatën e sulmeve. Disa delegacione u larguan ndërsa Netanyahu iu afrua foltores, ndërsa ai u detyrua të ndërpresë vizitën në Nju Jork për t’u kthyer në Izrael.

Klan News