Nata e dytë gjysmëfinale e “Kënga Magjike” në Tv Klan (Të gjitha lajmet)


Nata e dytë gjysmëfinale e “Kënga Magjike” në Tv Klan (Të gjitha lajmet)

20:22 23/11/2022

U mbyll edhe nata e dytë gjysmëfinale e edicionit të 23-të të festivalit “Kënga Magjike” në ekranin e Tv Klan. Në skenën e “Pallatit të Koncerteve” prezantuan këngët e tyre 25 artistë të tjerë.

Edhe natën e dytë çelën 9 artistë të rinj shqiptarë dhe të huaj, të cilët arritën ta kalonin me sukses përballjen me jurinë. Pas tyre, skena ishte për 16 artistët “Big”, shqiptarë dhe internacionalë.

Me emocione, muzikë të mirë, u mbyll nata e dytë për t’ia lënë radhën ditës së enjte për finalen e muzikës shqiptare.

Xixa dhe ngjyra, çfarë veshën Olta Beqiri dhe Eva Murati në gjysmëfinalen e dytë të “Kënga Magjike”

Në mbrëmjen e dytë të gjysmëfinales së ”Kënga Magjike”, Eva Murati dhe Olta Beqiri kontraktuan në fustanet e tyre të para. Murati u ëmbëlsua në tonet e lehta të rozës, një frude në krah, detajeve të vogla të bruzta dhe për të shfaqur edhe më shumë feminilitet, fustani kishte një të çarë në njërën këmbë.

Olta zgjodhi nuancën e limonit të gjelbër për fustanin e saj me shumë temina me rrudha rreth belit dhe një bisht që zgjatej pas saj.

Në ndryshim nga vajzat dhe ngjyrat e tyre, Ardit Gjebrea preferoi një kostum të zi me motive florale  të qëndisura në xhaketë dhe jelek.

Në veshjen e dytë,  Olta iu rikthye ngjyrës së zezë, si fustani i parë gjatë mbrëmjes së shkuar të gjysmëfinales. Fustani i plotësuar me dorashka dhe me pjesën e tejdukshme në gjatësinë e tij, u shoqërua edhe nga ndryshimi i pamjes së prezantueses. Nga flokët e lëshuar, Olta u shfaq me një kapje elegante në një bisht të gjatë dhe buzëkuq të kuq, ndryshe nga ngjyra neutrale që mbajti gjatë veshjes së parë.

Eva Murati hyri me një fustan portokalli të ndezur, me mëngë të fryra, i cili kryqëzohej në pjesën e dekoltesë në një formë të tillë që ekspozonte pak më shumë lëkurë. Edhe në këtë zgjedhje të dytë, nuk mungoi detaji i pjesës së hapur në këmbë, ndërsa grimi qëndroi i pandryshuar.

Artisti estonez që nuk mundi të vinte në Kënga Magjike, videomesazh nga spitali

Stefan, artisti nga Estonia i cili këtë vit përfaqësoi vendin e tij në Eurovizion, nuk mundi të ishte pjesë e fazës gjysmëfinale të festivalit Kënga Magjike. Shkak u bënë arsyet shëndetësore. Megjithatë, ai erdhi në skenën e madhe të Pallatit të Koncerteve nëpërmjet një videomesazhi të dedikuar për festivalin.

Ardit Gjebrea: Do doja të ndaloja pak tek një super artist i cili për shkaqe shëndetësore nuk na erdhi dot në këtë fazë të rëndësishme të festivali.

Eva Murati: Është Stefan, përfaqësuesi i Estonisë në Eurovision 2022, i cili pas një pneumonie të rëndë, mjekët nuk ia këshilluan ardhjen në festival. Megjithatë, në fazën e parë të programit, ajo këngë na dha një energji që të gjithëve.

Olta Beqiri: Le të ndjekim një mesazh të dedikuar për festivalin tonë.

Stefan: Më vjen shumë keq t’ju informoj se nuk do të mund të vij në Shqipëri për të marrë pjesë në Kënga Magjike. Fatkeqësisht jam sëmurë me pneumoni dhe tani jam në spital, nën vëzhgimin e mjekëve. Unë shpresoja deri në momentin e fundit që do të mund të vija, por fatkeqësisht nuk është e mundur. Doja shumë të këndoja këngën time, por mbase herën tjetër. Ju uroj të gjithëve një shfaqje vërtetë të bukur dhe gëzuar festat që po afrohen. Kujdesuni për njëri-tjetrin dhe qëndroni të sigurt. Shihemi së shpejti!

Ardit Gjebrea: E përshëndesim edhe ne Stefan, i cili është duke na ndjekur përmes aplikacionit Klani Im. Hi Stefan We Miss You.

Kodet e votimit të artistëve të natës së dytë gjysmëfinale në “Kënga Magjike”

Votimi për artistët në natën e dytë gjysmëfinale të “Kënga Magjike” ka nisur. Votimi mbyllet nesër në orën 09:00 gjatë programit “Aldo Morning Show”.

Kujtojmë që publiku mund të dërgojë mesazh në numrin 0684800800. Vota është e vlefshme vetëm nëse dërgohet 1 mesazh me kodin e artistit. Pra nuk duhet të ketë asnjë fjalë tjetër përveç kodit. SMS është pa kosto shtesë.

Dritat e skenës tashmë do të fiken, por artistët do të qëndrojnë aty së bashku me jurinë sepse për ta fillon procesi i parë i votimit.

Kodet e votimit për artistët e natës së dytë gjysmëfinale janë:

Jasmina Dervishi – 01

Niki Zaimi – 02

Martin Pano – 03

Arsi Bako – 04

Albin – 05

Velato – 06

Georgios – 07

Kris Kolo – 08

Jayoo – 09

Mariza Ikonomi – 10

Blerina Braka – 11

Klajdi Musabelliu – 12

Janex – 13

Sheila Haxhiraj – 14

Xhesika Polo – 15

Sara Bajraktari – 16

Erik Lloshi – 17

Alvan – 18

Andrea – 19

Marco Carta – 20

Michela Paluca – 21

Anxhela Peristeri – 22

Irma Libohova – 23

Orgesa Zaimi – 24

Comment ça va? Olta Beqiri ‘habit’ artistin francez

Për pak minuta, dy bashkëprezantueset e Ardit Gjebreas në këtë edicion të 23-të të festivalit Kënga Magjike, u zhvendosën në prapaskenë, aty ku ndodhen 25 artistët që performuan këtë natë të dytë gjysmëfinale. Eva Murati dhe Olta Beqiri biseduan me disa prej artistëve të huaj që marrin pjesë në këtë edicion të festivalit.

Duke pasuar kolegen e saj që bashkëbisedoi në italisht me artistin Marco Carta, Olta Beqiri teksa iu drejtua këngëtarit francez Alvan tha se nuk dinte frëngjisht, përveç “Comment ça va” (shqip, Si jeni?). Pikërisht kjo fjali solli dhe reagimin e tij të habitur.

Olta Beqiri: Unë nuk di frëngjisht, por di vetëm, comment ça va?

Alvan: Oh bien, merci beaucoup (oh shumë mirë, faleminderit shumë).

Olta Beqiri: Alvan ka takuar para disa ditësh shkrimtarin e famshëm Kadare. Madje ka shkruar dhe tek shtëpia e tij, që tashmë është muze. Çfarë do të mbetet në kujtesën tënde nga kjo eksperiencë shqiptare.

Alvan: Eksperienca në Shqipëri është shumë e bukur. Më pëlqejnë shumë njerëzit shqiptar. Të Dua!

Olta Beqiri: Merci (faleminderit).

Artisti italian i këndon Eva Muratit

Ndërsa Ardit Gjebrea kërkonte partneret e tij në skenën e “Këngës Magjike”, ato e përshëndetën nga Holli i Artistëve. Eva Murati ndodhet pranë artistit italian Marco Carta, të cilit i shpreh simpatinë për këngën e tij në festival.

Eva Murati: Si fillim, doja të të thoja që unë jam një fanse shumë, shumë e madhe jotja dhe e këngës “Tu sarai una forza mia”. Ma këndon pak?

Marco Carta: Sigurisht.

Marco ia plotëson menjëherë dëshirën moderatores bukuroshe dhe këndon një version pa muzikë të këngës së tij.

Eva Murati: Faleminderit. Faleminderit për këtë moment të bukur televiziv dhe tani kthehemi te “Kënga Magjike”.

Marco Carta: Dallohet që ju pëlqen të këndoni sepse ka zëra të mëdhenj, të bukur vërtet. E doni këndimin e bukur që është në shqip, por është një këndim shumë i bukur, ka zëra të jashtëzakonshëm, komplimente.

“Sikur të ketë gjithë jetën që jeton këtu”, artisti amerikan rrëmben 5 jeshile & shumë duartrokitje

Hyri me duartrokitje dhe u largua po njësoj. E jo vetëm kaq. Artisti amerikan Jayoo mori të pesta votat e jurisë, ashtu sikurse dhe shumë vlerësime për performancën e tij në natën e dytë gjysmëfinale të festivalit “Kënga Magjike”.

Ardit Gjebrea: Jayoo nga New York dhe dy balerinat e tij nga Los Angeles që kanë ardhur nga “Kënga Magjike”. Të gjithë jeshileee.

Kozeta Kurti: Konfidencialitet me kamerën, me publikun, si në shtëpi të vet, sikur të ketë gjithë jetën që ka jetuar këtu, ndërkohë që shpeshherë na mbyllet kënga këtu tek vetvetja jonë. Kështu që jeshile. Disa jeshile përnjëherë madje.

Ardit Gjebrea: Jayoo.

Jayoo: Yes sir!

Ardit Gjebrea: Komplimente, more një numër, more një kod, mund të votohesh, do të votosh… kupton shqip.

Jayoo: Agreed (Bie dakord).

Skenografia e “Këngës Magjike” i besohet prej 14 vitesh Gaetano Castelli-t, Ardit Gjebrea kujton takimin e parë me të

Përpara se të vijonte me artistin e radhës në “Kënga Magjike”, moderatori Ardit Gjebrea la pak  mënjanë skenarin për të kujtuar një nga elementet që e kthejnë festivalin në një botë fantazie.  Teksa u kthye pas në kohë, në vitin 2008, moderatori kujton momentin e një ideje që asokohe dukej ndoshta jashtë realitetit, por tashmë ka 14 vite që dora e skenografit italian Gaetano Castelli magjeps Pallatin e Koncerteve. Sonte ai ndodhet në sallë dhe ndërsa përmendet emri i tij, një pjesë e saj është ngritur në këmbë në shenjë respekti.

Ardit Gjebrea: Në vitin 2008  shoh festivalin e Sanremos. E shoh dhe skenografia më bëri shumë përshtypje. Shkoj  në zyrë dhe i them e patë?, “po” çfarë mrekullie, po çfarë janë këta njerëz, po sa bukur punojnë! “E lëre se Itali është!”, Itali, po si t’i takojmë këta njerëz? Thashë shiko, do provoj të takoj skenografin e Sanremos. “Eh, mirë, s’e takon dot”. U nisa për në Romë, më krijuan një mundësi, një takim vetëm 20 minuta dhe takoj skenografin Gaetano Castelli. Ai imagjinoni ka skenografinë e 21 festivaleve të Sanremos, edhe të vitit të kaluar, edhe të vitit 2023, në Dhjetor ai do të shkojë në Sanremo se do të merret me skenografinë e Sanremos të këtij viti.

Ju keni dëgjuar besoj për “Moulin Rouge”. Ai është udhëheqësi artistik, është  kreatori, është skenografi i Moulin Rouge në Paris. Ju keni dëgjuar hotelin “Win” në Las Vegas, ai ka nderuar teatrin e tij. Ju keni dëgjuar për “Macao” në Kinë, ai ka ndërtuar teatrin atje. Një personalitet botëror. Unë nuk di se si ta falënderoj që për të 14-in vit ai është skenografi i “Këngës Magjike” dhe sonte është në sallë.

“Do ta jap jeshilen se e meriton, që mos thonë nuk i duam italianët…”

Me tre butona jeshilë, artisti italian Velato vijon garën në festivalin Kënga Magjike. Megjithatë performanca e tij nuk ishte në pritshmëritë e anëtarëve të jurisë. Ema Andrea tha se këngës i mungoi magjia. Pavarësisht kësaj, aktorja i “dha dritën jeshile”, duke argumentuar se këngëtari italian e meritonte edhe një shans.

Ema Andrea: Doja të thoja e meriton edhe një shans, por magjia i mungoi këngës. Edhe pse do ta jap jeshilen se e meriton, që mos thonë nuk i duam italianët dhe të shikojmë sesi do t’i vlerësojë kolegët. Por sipas meje mungoi magjia në raport edhe me interpretimin e mëparshëm dhe me të gjithë ata magjistarë-këngëtarë që kemi parë në këtë skenë… por gjithsesi, për respekt të teknikës.

Butonin e kuq e shtypën Anxhela Faber dhe Kozeta Kurti.

Anxhela Faber: Është e vërtetë ajo që tha Ema, magjia i mungoi këngës. Nuk e di përse, kisha pritshmëri të tjera sonte. Më duhet të jem e sinqertë.

Kozeta Kurti: Mungesës së magjisë me të cilën bashkohem me kolegët, i shtohet edhe perceptimi që më erdhi “kur po mbaron, sa ta mbaroj këtë këngën dhe të iki”, këtë përshtypje më dha. Mu duk sikur po thoshte të mbarojë kjo këngë dhe të iki.

Ardit Gjebrea: Sidoqoftë fiton të drejtën të votohesh, je akoma në garë Velato.

“Kemi dasmë në Korrik”, Kozeta Kurti jep lajmin ekskluziv në “Kënga Magjike”

Komenti i Kozeta Kurtit për performancën e Albin në “Kënga Magjike”nxori ‘zbuluar’ gazetaren. Mjaftoi një pjesëz e deklaratës së saj që moderatori Ardit  Gjebrea t’i ‘rrëmbente’ konfirmimin se gazetarja do të martohet Korrikun e ardhshëm.SEM

Kozeta Kurti: Dhe që unë mos të dukem si gjithmonë besnike e mendimeve të mia, pavarësisht se ose nuk kam rënë në dashuri që nuk më vjen kjo dashuria kaq e madhe sa i vjen Anxhelës, ose…

Ardit Gjebrea: Si nuk ke rënë në dashuri?  Më fal pak, a kemi dasmë në Korrik?

Kozeta Kurti: E kemi.

Ardit Gjebrea: Deklaruam një të re për Kozeta Kurtin! U desh të dilte sonte që në Korrik do kemi dasmë!

Anxhela Faber: Mirë që e thashë unë atë deklaratën e dashurisë, se s’do e kishim marrë vesh.

Ardit Gjebrea: Dhe nuk është thënë asnjëherë, mezi prisja ta thoja. Jeshile për dasmën, më falni për Albin.

“Kënga Magjike”, Gjebrea: Festivali nuk i premton askujt asgjë. Prej 23 vitesh parimi është: Eja, garo dhe fito vendin tënd

Prej 23 vitesh, festivali “Kënga Magjike” ka sjellë për publikun një sërë prodhimesh artistike dhe artistë që i kanë bërë vetes vendin e tyre në artin shqiptar. Ardit Gjebrea u shpreh në natën e dytë gjysmëfinale të “Këngës Magjike” se ky festival ka rregullat e veta dhe se gjithmonë është në shërbim të muzikës. “Ky festival nuk i premton askujt asgjë”, u shpreh Gjebrea, i cili shtoi se prej 23 vitesh parimi është: Eja, garo dhe fito vendin tënd. Po ashtu, sa i përket votimit, ai tha se çdo votë e publikut përcakton një trend, pra muzikën e së nesërmes.

Ardit Gjebrea: Ju e dini që lumturia ime është kur i bëj të lumtur. Ndaj dhe ndërtuam një qiellgërvishtës artistik me 23 kate prej të cilëve komuniteti i artistëve ka kujtime të mrekullueshme. Ndonjëherë kanë edhe pakënaqësi, është pjesë e garës, por ajo doza e paduhur shtohet në momentin kur gara kthehet në prioritet.

Olta Beqiri: Vetë jeta është një garë dhe si pjesë e saj festivali “Kënga Magjike” shërben si trampolinë ku artisti vendos vetë se ku dëshiron të hidhet.

Eva Murati: Megjithatë në këtë festival të gjithë ata që këndojnë janë juri, por mos harrojmë këtu se juria më e madhe është ajo e publikut, dihet.

Ardit Gjebrea: “Kënga Magjike” ka rregullat e veta, gjithnjë në shërbim të muzikës dhe të barabarta për këdo, shqiptar apo i huaj qoftë. Mbrëmë është votuar nga publiku, edhe sonte po ashtu. Mos mendoni se votojmë një këngë dhe mirupafshim. Çdo votë e juaja përcakton një trend. Ndaj të dashur miq, kur të votoni mendoni se vota juaj do të jetë muzika e së nesërmes. Ky festival nuk i premton askujt asgjë. Që prej 23 vitesh parimi është: Eja, garo dhe fito vendin tënd! Kaq.

“Shikoja ty, nga të shkoja, shikoja Oltën nga të shkoja”, partneret venë në ‘dilemë’ Gjebrean

Ka nisur mbrëmjen e kësaj të mërkure nata e dytë gjysmëfinale e festivalit Kënga Magjike, në Tv Klan. Që në nisje, Ardit Gjebrea falenderimin e parë e kishte për publikun.

Ardit Gjebrea: E nis sonte me falenderimin tim për ju, publikun dhe telespektatorët që përcollët mbështetje të pa kursyer për artistët magjikë. E ndjemë nga duartrokitjet e mbrëmshme, nga ajo çka pamë nga votat e publikut përmes mesazheve telefonike, faleminderit.

Ashtu siç tashmë është ditur, këtë edicion të 23-të të festivalit ndodhen dy bukuroshet Eva Murati dhe Olta Beqiri, për të cilat Gjebrea kishte po ashtu një falenderim.

Ardit Gjebrea: Më lejoni të them që këtë edicion mora një tjetër energji, një freski, mirësi, e cila erdhi përmes buzëqeshjeve dhe thjeshtësisë së dy partnereve të mia, Eva Murati dhe Olta Beqiri.

Olta Beqiri: Më lejoni të them se sonte ndihem si ai personazhi që i ka kërkuar xhindit një dëshirë dhe më solli drejt e këtu tek pallati ku ndodh magjia.

Eva Murati: Për të thënë të vërtetën edhe unë të njëjtën ndjesi kam, po të pa konservuar, të pa thënë, bëhet fjalë këtu që nga koha kur isha adoleshente.

Ardit Gjebrea: Po mendoja ndërkohë që po zbrisnit po ju shihja nga të dyja anët dhe po thoja… se ju e dini, të paktën në skenë gjithmonë kam qenë xhentil, edhe në jetën e përditshme, dhe gjithmonë jam munduar që të shkoj dhe t’i marr partneret. Shikoja ty, nga të shkoja, shikoja Oltën nga të shkoja dhe thashë: do vijnë vetë. Kështu që mirë së erdhët.

Nis ndryshe nata e dytë gjysmëfinale e Kënga Magjike

“Kënga Magjike” nuk nisi transmetimin  në Tv Klan drejt e nga skena e Pallatit të Koncerteve, por nga një ambient tjetër i tij. Moderatori Ardit Gjebrea dhe dy bashkëprezantueset, Olta Beqiri dhe Eva Murati u shfaqën nga prapaskena, aty ku ndodhin prekjet e magjisë.

Në prapaskenë artistët janë ende duke u bërë gati për t’u ngjitur në skenë, të rrethuar nga ekipet e profesionistëve, veshjet, aksesorët, pajisjet dhe mbi të gjitha emocionet.

Energjikë dhe gati, trioja e spektaklit u nisën drejt dritave të prozhektorëve për të filluar garën.

Gazetarja e Tv Klan, Anisa Krraba na njeh me detajet e tjera të natës së dytë gjysmëfinale të festivalit “Kënga Magjike”.

“Edhe sonte është një natë gare. Do të jenë 25 konkurrentë të tjerë të cilët do të performojnë në natën e dytë gjysmëfinale në edicionin e 23-të të “Këngës Magjike”. 9 të parët që do të çelin garën do të jenë po artistët “New”, të cilët janë edhe shqiptarë, por edhe të huaj dhe më pas skenën do t’ia lënë artistëve “Big” që kësaj nate do të jenë 16 artistë. Edhe këta artistë shqiptarë të mirënjohur dhe internacionalë.

Edhe sonte do të ketë votime, por votimet do të jenë për artistët e rinj, të cilët pasi do të performojnë në skenën e “Këngës Magjike”  do të zgjidhen nga juria. Nëse marrin 3 jeshile, ata kanë të drejtë të votojnë për këngët e mira të festivalit të “Këngës  Magjike”, gjithashtu të votohen nga artistë dhe kolegë të tjerë, por të votohen edhe nga audienca. Nëse marrin 5 jeshile, ata janë automatikisht edhe artistë “Big”.

Kjo është nata e sotme për të mirëpritur më pas dy netët e tjera të cilat janë vendimtare, finalen e muzikës shqiptare dhe finalen Grand International Night”.

REDAKSIA TVKLAN.AL









Të ngjashme