Pas një fushate të qetë dhe larg vëmendjes së medias, kjo e shtunë shënon heshtjen zgjedhore në Himarë. Takimeve derë më derë u erdhi fundi.

Në kulmin e sezonit turistik, himariotët do të drejtohen të dielën e 4 Gushtit në kutitë e votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë.

Në garë përballë njëri-tjetrit do të jenë socialisti Vangjel Tavo dhe përfaqësuesi i opozitës Petro Gjikuria, por këto zgjedhje nuk po ndikojnë aspak në turizëm.

E shtuna e heshtjes zgjedhore është një ditë e zakonshme, ashtu si edhe ditët e fushatës, në të cilat munguan tubimet elektorale. Në të gjithë zonën sheh vetëm dy postera të kandidateve, një në Dhërmi e një në Himarë.

Vendasit refuzojnë të flasin për politikë, ndërsa ata të huaj që kanë zgjedhur si destinacion këto ditë plazhet e Himarës, as që e dinë se të dielën do të mbahen zgjedhje, por shijojnë plazhin, natyrën dhe ushqimin e shijshëm.

“Nuk jam në dijeni te faktit qe këtu paska zgjedhje nesër. Unë jam nga Suedia dhe jetoj në Australi. Disa miq të mitë kanë qenë këtu me parë dhe ata më thanë që është një vend shumë i bukur dhe të them të drejtën unë jam natyrë që eksploroj vende të ndryshme, ndaj thashë të provoj diçka të re”.

“Jo nuk e dimë që këtu në Himarë ka zgjedhje”.

“Nuk jemi të informuar për asgjë politike në Shqipëri. Kemi ardhur për të shijuar pushimet dhe po kënaqemi.”

“Jo, jo ne po shijojmë këtë mrekulli, vijmë nga Holanda dhe qëndrimi këtu po na pëlqen shumë. Jemi vërtet të lumtur, po e shijojmë pafund bukurinë e këtij bregdeti dhe gjithçka tjetër këtu në Shqipëri.”

Bizneset vijojnë ritualin e tyre të përditshëm me sytë nga turistët, kryesisht ata të huaj.

“Mirë, mirë. Himara mbledh turistë. Të huajtë e kanë destinacion kryesor se është atraktiv me shumë vende të ndryshme. Në krahasim me vitet e tjera si sezon që është kulmi Gushti është pak në rënie, por edhe njerëzit janë bere smart lëvizin shumë sepse Himara i ofron këto planet e ndryshme me diversitet.”

“Më shumë janë të Francës, Belgjikës dhe Holandës. Vijnë edhe nga Spanja”.

Por teksa turistet do të shijojnë plazhin, himariotët do t’u drejtohen nesër kutive të votimit. 23 mijë e 74 qytetarë me të drejtë vote janë thirrur për të shprehur vullnetin e tyre në 36 qendra votimi. Procesi do të hapet në orën 7:00 dhe pritet të mbyllet në orën 19:00 te mbrëmjes.

Për shkak të angazhimit të dy kampeve politike dhe diferencës së ngushte me 19 vota në zgjedhjet e 14 Majit të vitit të kaluar, pjesëmarrja pritet të jetë e lartë.

Zgjedhjet në Himare mbahen për shkak të dënimit me 2 vjet burg të kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri për blerje votash.

Arrestimi dhe dënimi i tij acaroi marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës, me Greqinë që kërcënoi edhe me bllokim të procesit të integrimit dhe me kryeministrin Mistsotakis që e futi Belerin në listën deputetëve të Parlamentit Europian.

Tv Klan