Pak kohë pas mbylljes së hesapeve me drejtësinë që e dënoi për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera, ish-kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe ka përfunduar sërish në gjyq. Këtë herë ish-kryebashkiaku do të përballet me akuzën e fshehjes së pasurisë dhe deklarimit të rremë të saj.

Prokuroria e Posaçme thotë se hetimet e kryera mbi pasurinë e ish-zyrtarit të lartë treguan se ai kishte fshehur një apartament në Vlorë, në zonën e Lungomares, i sekuestruar që në muajin prill të këtij viti. Një hua të marrë nga një shtetas në vitin 2020, si dhe 2 makina të llojit Mercedes Benz, në vlerën totale 46,9 mijë euro.

Më herët Fatos Tushe bashkë me disa ish-zyrtarë të tjerë në Bashkinë Lushnje u përgjuan për disa muaj nga SPAK, që i tha gjykatës se kishte dokumentuar disa raste të shkeljes së detyrës dhe ndërhyrjes në tendera që rezultuan të paracaktuar.

Ai u dënua nga Gjykata e Posaçme e Apelit në 1 mars të 2023 me 3 vite e 4 muaj burg, dënim i cili është shlyer prej tij disa muaj më parë, kur edhe la qelinë.

Tv Klan