Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar çështjen në gjykatë për ish kryetarin e Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe. Nga verifikimet e kryera nga SPAK janë ngritur akuza për fshehje të pasurisë.

Më konkretisht Tushe rezulton se ka kryer deklarim të rreme të pasurisë dhe interesova, si dhe ka kryer fshehje të pasurisë, interesave dhe shpenzimeve.

Në deklaratën vjetore të pasurisë nga viti 2017 deri në vitin 2021, nuk ka deklaruar shpenzime për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 82 metër katror në Lungomare, Vlorë. Ish kryebashkiaku i Lushnjës, gjithashtu nuk ka deklaruar as punimet dhe mobilimin e apartamentit të cilat arrijnë në vlerën e 2.2 milionë lekëve.

Nga hetimet është provuar se Tushe është pronar “de facto” i apartamentit në qytetin e Vlorës, dhe e ka fshehur si pasuri, e cila tashmë është sekuestruar nga Gjykata e Posaçme.

Fatos Tushe, sipas SPAK nuk ka deklaruar as një borxh të marrë një personi në vitin 2020. Ish-kryebashkiaku pas largimit nga detyra në vitin 2021 nuk ka deklaruar as blerjen e dy automjeteve në total me vlerë rreth 47 mijë euro.

Fatos Tushe është dënuar me vendim të formës së prerë për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera me 2 vite e 4 muaj burg, dënim që e ka shlyer. Ai u arrestua në verën e 2021 në detyrë pasi ishte përgjuar nga SPAK për disa muaj bashkë me disa vartës të tij.

Klan News