Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për ish zëvendës ministrin e Shëndetësisë, Klodjan Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, në kuadër të hetimeve për dosjen e koncensionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro.

3 vite nga nisja e hetimeve dhe 8 vite nga dhënia e koncensionit, ish-zv.ministri akuzohet nga SPAK se ka shpërdoruar detyrën dhe falsifikuar dokumente, teksa biznesmeni që fitoi koncensionin në 2015, Ilir Rrapaj, për mashtrim me pasoja të rënda.

Në masën e sigurisë “Arrest shtëpie” u lanë dy ish zyrtarët Saimir Kadiu, drejtor ekonomik në ministri gjatë kohës së dhënies së koncensionit, si dhe Marsela Serjanaj, drejtoreshë juridike

Me dyshimet që kanë shpërdoruar detyrën dhe falsifikuar dokumente, në masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” u lanë edhe 4 zyrtarë të tjerë: Arben Gjata, Pertef Mersini, Genc Burazeri  dhe Naile Ajazi.

SPAK thotë gjithashtu se koncensioni është dhënë në kushtet e konfliktit të interesit, pasi janë gjetur lidhje dhe kontakte të biznesmenit që fitoi koncensionin me zyrtarë të ministrisë.

Pavarësisht masave të lëshuara, hetimet e SPAK nuk janë të përfunduara dhe në verifikim vazhdojnë të jenë edhe 6 persona të tjerë mes tyre edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, i cili është marrë më parë në pyetje nga prokurorët.

Për këtë dosje, në pyetje këtë të enjte u mor edhe ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani, i cili pas daljes nga SPAK dha këto sqarime.

Keni dijeni se legjislacioni në fuqi të dënon penalisht në rast se veproni ose jo në përputhje me ligjin?! Nëse plotësohet dokumentacioni unë jam i detyruar të zbatoj ligjin, se çfarë ndodh më pas është histori më vete.”

Teksa Gjykata e Posaçme, në vendimin për dhënien e masave të sigurisë, i sugjeroi SPAK të hetojë penalisht edhe disa zyrtarë të tjerë të lartë që rezultojnë në dosjen hetimore, Prokuroria e Posaçme konfirmoi këtë të mërkurë se ka nën hetim edhe ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja dhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani.

Masa e lëshuara nga GJKKO:

-Klodjan Rjepaj: arrest me burg për “shpërdorim detyre”

-Ilir Rrapaj: arrest me burg për “mashtrim me pasoja të rënda”

-Saimir Kadiu: arrest shtëpie për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”

-Marsela Serjana: arrest shtëpie për  falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre

-Arben Gjata: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh’ dhe “shpërdorim detyre”

-Naile Ajazi: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe ‘shpërdorim detyre”

-Genc Byrazeri: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe  “shpërdorim detyre”

-Petri Mersini: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”

Tv Klan