Lajme Arkiva 2003

Këto pamje me civil të përgjakur, megjithëse në afërsi të një qendre ushtarake maqedonase për fat të mirë nuk janë shkaktuar nga një bombardim apo granatim real. Kamera e Tv Klan ka xhiruar manovra të një stërvitje të arrirë ushtarake mes një toge shqiptare dhe një toge maqedonase.

41 ushtarak shqiptarë u nisën një javë më parë për në Krivollak të Maqedonisë për një stërvitje të përbashkët me ushtrinë e shtetit fqinj dhe kjo edhe në kuadër të përpjekjeve të ushtrive të dy vendeve për tu integruar në NATO.

Në ditët e fundit të stërvitjes për të parë nga afër përpjekjet e ushtarakëve në terren kanë qenë të pranishëm dhe mjaft personalitete të dy shteteve. Ministrat e Mbrojtjes Majko dhe Buçkovski, si edhe presidenti i Republikës së Maqedonisë, Boris Trajkovski.

Në stërvitje Ministria Maqedonase e Mbrojtjes kishte ftuar edhe ministrin e Mbrojtjes së Serbisë Boris Tadic, i cili ndodhej në Maqedoni për të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të komandove nga forcat e NATO-s të Euro-Force.

Ministri shqiptar i mbrojtjes Majko ka kërkuar që në stërvitje të jenë prezentë vetëm përfaqësues të dy shteteve Maqedoni dhe Shqipëri, meqenëse stërvitja është dypalëshe dhe kështu prezenca e ministrit serb nuk është bërë e mundur.

Në fund të stërvitjes dy homologët janë shprehur të kënaqur nga niveli ushtarak, gjithashtu ministri shqiptar është shprehur me vlerësime pozitive edhe për gjendjen stabël në Maqedoni dhe në rajon.

Pandeli Majko: Situata jo vetëm është e qetë por ka kaluar parashikimet e më optimistëve. Kemi ushtarë shqiptarë që stërviten së bashku me ushtarë maqedonas në një qendër stërvitore.

Këto vlerësime pozitive janë shprehur edhe gjatë një takimi zyrtar në ambientet e Ministrisë në Shkup, ku Majko e Buçkovski janë shprehur për një angazhim të përbashkët në kuadër të klimës së mirëkuptimit he bashkëpunimit reciprok mes dy shteteve./tvklan.al